
Auditimi për vitin 2024 evidenton mungesë kontrolli, rimbursime pa të drejtë dhe rrezik për sigurinë e pacientëve
Auditimi i kryer nga Kontrolli i Lartë i Shtetit mbi Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor për vitin 2024 ka nxjerrë në pah probleme serioze në administrimin e barnave të rimbursueshme dhe funksionimin e mekanizmave të kontrollit.
Sipas raportit zyrtar, janë evidentuar gjithsej 45 gjetje me masa organizative, 3 gjetje me efekte ekonomike dhe 6 masa administrative, të cilat tregojnë dobësi të theksuara në menaxhimin, monitorimin dhe zbatimin e detyrimeve kontraktuale në sektorin farmaceutik.
Auditimi ka konstatuar se në depot farmaceutike nuk është kryer verifikimi i çmimeve të barnave sipas Listës së Barnave të Rimbursueshme dhe nuk është kontrolluar tregtimi në përputhje me pullën e sigurisë. Kjo ka cenuar transparencën dhe ka pamundësuar krahasimin real mes çmimeve të referencës dhe atyre të tregut, në kundërshtim me kontratat që parashikojnë ndërprerje në rast shkeljesh të përsëritura.
Një tjetër problem i theksuar lidhet me inventarizimin e barnave, ku procesverbalet përfshijnë vetëm sasitë fizike, pa dokumentuar datat e skadencës. Sipas KLSH-së, kjo mangësi e bën të pamundur vlerësimin real të disponueshmërisë së barnave dhe cenon sigurinë e furnizimit, veçanërisht për barnat alternative të vetme dhe të para.
Në farmacitë spitalore të QSUT-së, Durrësit, Shkodrës, Elbasanit dhe Korçës janë konstatuar mungesa konkrete barnash dhe diferenca sasiore. Në disa raste, barna të rëndësishme nuk kanë qenë të disponueshme as në fillim dhe as në fund të periudhës së audituar, pa u reflektuar si problematikë nga strukturat përgjegjëse të fondit.
Auditimi ka evidentuar gjithashtu probleme serioze në sistemin “e-depo”, ku janë regjistruar shpërndarje barnash spitalore në rrjetin e hapur në kundërshtim me kontratat dhe ligjin. Janë konstatuar raste të shitjes së barnave me datë skadence të njëjtë ose shumë pranë datës së shitjes, duke krijuar rrezik për sigurinë e pacientëve dhe cilësinë e trajtimit.
Në aspektin financiar, KLSH ka gjetur diferenca të pajustifikuara në inventarë dhe raste rimbursimi pa të drejtë, ku farmaci të caktuara kanë përfituar fonde publike për barna të marra pa kosto blerjeje, duke gjeneruar përfitime financiare në kundërshtim me qëllimin e skemës së rimbursimit.
Pavarësisht mungesave të konstatuara të barnave alternative, auditimi thekson se nuk janë aplikuar penalitetet e parashikuara në kontrata dhe nuk janë marrë masa ndëshkuese ndaj subjekteve përgjegjëse, duke reflektuar dobësi të thella në kontrollin e brendshëm dhe mbikëqyrjen institucionale.
Në përfundim, Kontrolli i Lartë i Shtetit rekomandon forcimin e kontrollit të brendshëm në FSDKSH, standardizimin e inventarizimeve me dokumentim të plotë të datave të skadencës, monitorim më rigoroz të sistemit “e-depo” dhe zbatim të plotë të penaliteteve kontraktuale, me qëllim garantimin e sigurisë së pacientëve dhe përdorimin korrekt të fondeve publike.
