
Shembje masivesh shkëmbore bllokojnë pjesërisht rrugën, drejtuesit e mjeteve paralajmërohen për kujdes të shtuar
Reshjet e dendura të shiut që kanë përfshirë vendin gjatë natës kanë shkaktuar probleme serioze në disa zona, ndërsa situata më problematike paraqitet në aksin nacional që lidh Burrelin me Skurajn. Në segmentin e Shkopetit janë raportuar shembje masivesh shkëmbore dhe dherash, duke vështirësuar ndjeshëm qarkullimin e automjeteve.
Si pasojë e rënies së gurëve, një pjesë e karrexhatës është bllokuar, ndërsa shembjet vijojnë të jenë të vazhdueshme për shkak të reshjeve intensive. Drejtuesit e mjeteve që qarkullojnë në këtë aks paralajmërohen të tregojnë kujdes maksimal dhe të shmangin lëvizjet e panevojshme, pasi rreziku mbetet i lartë.
Kompania që ka në mirëmbajtje rrugën ndodhet në terren dhe po punon për largimin e gurëve dhe pastrimin e aksit, me qëllim rikthimin e qarkullimit normal. Megjithatë, autoritetet bëjnë me dije se situata mund të përkeqësohet në orët në vijim, pasi reshjet e shiut vazhdojnë dhe kanë shkaktuar edhe fryrje të lumenjve dhe përrenjve në zonë.
Strukturat përgjegjëse janë në monitorim të vazhdueshëm të situatës, ndërsa u bëhet thirrje qytetarëve të ndjekin njoftimet zyrtare dhe të respektojnë sinjalistikën rrugore.
