
Përmbytja e nënstacionit në Spitallë lë pa drita zona të tëra, rrugët bëhen të pakalueshme dhe situata rëndohet nga ora në orë
Qyteti i Durrësit po përballet me një situatë të rëndë emergjente si pasojë e motit të keq dhe reshjeve të dendura të shiut që kanë përfshirë zonën gjatë orëve të fundit. Prania e ujit është shtrirë pothuajse në të gjithë qytetin, duke shkaktuar ndërprerje të shërbimeve dhe vështirësi të mëdha në lëvizje.
Sipas raportimeve nga terreni, është përmbytur nënstacioni elektrik në zonën e Spitallës, çka ka sjellë ndërprerjen e energjisë elektrike për rreth gjysmën e qytetit. Situata energjetike mbetet problematike, ndërsa ekipet teknike po punojnë për vlerësimin e dëmeve dhe rikthimin gradual të furnizimit.
Probleme të tjera janë evidentuar edhe në zonën e Kodërvilës, ku janë raportuar rrëshqitje, duke rritur rrezikun për banesat dhe qarkullimin rrugor. Përballë përkeqësimit të situatës, grupe pune nga Tiranëa kanë mbërritur në Durrës për të ndihmuar shtabin lokal të emergjencave.
Në terren ndodhen mjete të shumta zjarrfikëse nga Durrësi, Shijaku, Porti dhe Tirana, të pajisura edhe me pompa thithëse për të ndërhyrë në banesat e përmbytura. Deri më tani, mbi tetë familje nga zonat e Kenetës, Spitallës dhe Shijakut janë evakuuar për arsye sigurie.
Situata raportohet të jetë shumë e rëndë, ndërsa rrugët në disa segmente janë totalisht të pakalueshme. Dhjetëra automjete kanë pësuar defekte për shkak të nivelit të lartë të ujit, duke paralizuar qarkullimin në zona të tëra të qytetit. Autoritetet janë në monitorim të vazhdueshëm dhe u bëjnë thirrje qytetarëve të shmangin lëvizjet e panevojshme dhe të ndjekin udhëzimet e strukturave të emergjencës.
