
Moti i keq paralizon qarkullimin, Vjosa në rritje dhe ndërhyrje emergjente në disa zona
Autoritetet lokale në Gjirokastër kanë vendosur pezullimin e mësimit në të gjitha shkollat e qytetit duke nisur nga kjo e mërkurë, si pasojë e situatës së krijuar nga moti i keq dhe rreziku për sigurinë e nxënësve dhe stafit arsimor.
Në disa zona urbane të qytetit është konstatuar prani e konsiderueshme inertesh të sjella nga reshjet, të cilat kërkojnë ndërhyrje me mjete të rënda për t’u larguar. Ndërkohë, intensiteti i reshjeve është ulur, por pasojat vijojnë të jenë të dukshme.
Situata po monitorohet edhe përgjatë lumit Vjosa, ku në Memaliaj niveli i ujit ka arritur në 6.5 metra. Nga bashkitë e tjera të qarkut Gjirokastër, deri në këto momente, nuk raportohen emergjenca serioze.
Probleme të theksuara janë regjistruar edhe në infrastrukturën rrugore. Aksi nacional Gjirokastër–Kakavijë është bllokuar në zonën e Kordhocës, përballë fshatit Lazarat, ku punonjësit e firmës mirëmbajtëse ndodhen në terren dhe po punojnë për hapjen e rrugës.
Gjithashtu, i pakalueshëm mbetet edhe segmenti Gjirokastër–Valare, në zonën e njohur si Ura e Aznakut, duke vështirësuar lëvizjen e banorëve dhe automjeteve.
Autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve të shmangin lëvizjet e panevojshme dhe të ndjekin njoftimet zyrtare, ndërsa situata vijon të mbetet në vëzhgim të vazhdueshëm.
