
Autoritetet i kapën në flagrancë gjatë dorëzimit të parave, foshnja vihet nën mbrojtjen e shtetit
Një ngjarje tronditëse është zbuluar në qytetin e Mykolaiv, ku një grua 21-vjeçare dhe partneri i saj 38-vjeçar janë arrestuar pasi dyshohet se tentuan të shesin foshnjën e tyre vetëm një ditë pas lindjes, në këmbim të rreth 7 500 paundëve.
Sipas autoriteteve, çifti u ndalua menjëherë pasi kishte dorëzuar të porsalindurin dhe kishte marrë shumën prej rreth 10 000 dollarësh. Pamjet e publikuara tregojnë momentin kur policia ndërhyn, i vendos prangat të dyshuarve dhe sekuestron paratë, ndërsa foshnja shihet e sigurt në krahët e një zyrtari shtetëror.
Hetuesit bëjnë me dije se çifti kishte nisur të kërkonte blerës që gjatë javëve të fundit të shtatzënisë dhe madje kishte rënë dakord për shitjen e fëmijës përpara se ai të lindte. Policia ishte në dijeni të planit prej disa javësh dhe kishte vendosur nën vëzhgim të dyshuarit, duke organizuar operacionin për kapjen e tyre në flagrancë.
Dorëzimi final i foshnjës u krye më 2 janar, vetëm një ditë pas lindjes, pranë një spitali materniteti në Mykolaiv, ku forcat e rendit ndërhynë menjëherë dhe arrestuan çiftin.
Prokuroria ka ngritur akuza për tentativë trafikimi njerëzor, sipas nenit 149, pjesa 3, të Kodit Penal të Ukraine, që parashikon dënime të rënda me burg për rastet më serioze, përfshirë trafikimin e fëmijëve. Gjykata ka vendosur mbajtjen e tyre në paraburgim, ndërsa hetimet vijojnë.
Autoritetet konfirmuan se foshnja ndodhet tashmë nën mbrojtjen e shtetit dhe po trajtohet nga strukturat përkatëse sociale. Gjendja e saj shëndetësore nuk është bërë publike.
