
Qeveria venezueliane ka akuzuar Shtetet e Bashkuara për shkelje të hapur të sovranitetit, pasi një anije peshkimi u mbajt për tetë orë nga marina amerikane në Karaibe.
Më 13 shtator, Ministria e Jashtme e Venezuelës bëri të ditur se anija “Carmen Rosa”, me nëntë peshkatarë në bord, u ndalua të premten, teksa ndodhej 48 milje detare në verilindje të ishullit La Blanquilla, brenda zonës ekonomike ekskluzive venezueliane.
Sipas deklaratës zyrtare, 18 ushtarë amerikanë të armatosur hipën në anije dhe e mbajtën të pushtuar për tetë orë. Ministria e Jashtme e cilësoi ngjarjen si një provokim të drejtpërdrejtë përmes përdorimit të paligjshëm të forcës ushtarake të tepruar, duke akuzuar Uashingtonin se kërkon të provokojë një incident për të justifikuar një përshkallëzim ushtarak në Karaibe me synim ndryshimin e regjimit në Caracas.
Forcat e Armatosura Kombëtare Bolivariane e kanë monitoruar dhe regjistruar incidentin minutë pas minute, thuhej në komunikatë. Qeveria venezueliane i kërkoi SHBA-së të ndalojë menjëherë veprimet që, sipas saj, rrezikojnë sigurinë dhe paqen në Karaibe.
Caracas i bëri gjithashtu thirrje popullit amerikan të mos pranojë që ushtarët e tyre të përdoren si pengje për ambiciet e një elite grabitqare.
Ngjarja vjen në një klimë tensioni të fortë mes dy vendeve. Administrata e presidentit amerikan Donald Trump ka dislokuar anije luftarake në Karaibe nën arsyetimin e luftës kundër karteleve të drogës. Vetëm një javë më parë, Trump deklaroi se SHBA kishte goditur një anije të dyshuar për trafik narkotikësh, duke vrarë 11 persona që ai i quajti narkoterroristë të Tren de Aragua, grup kriminal venezuelian i shpallur organizatë terroriste nga Uashingtoni.
Qeveria venezueliane i ka hedhur poshtë këto pretendime, duke i konsideruar si një justifikim politik për ndërhyrje ushtarake.