
I kërkuar që prej janarit 2025, akuzohet për prodhim dhe shitje narkotikësh, materialet i kalojnë Prokurorisë
Policia e Durrës ka arrestuar një shtetas të shpallur në kërkim prej më shumë se një viti për veprën penale të prodhimit dhe shitjes së narkotikëve. Në pranga ka rënë E. K., alias A. K., 45 vjeç, i njohur si Erjon alias Arjan Kullolli, banues në Xhafzotaj të Shijakut.
Sipas burimeve zyrtare, ai ishte në kërkim që nga janari i vitit 2025, ndërsa akuzohet për aktivitet të paligjshëm në fushën e narkotikëve. Gjatë një kontrolli të mëparshëm në banesën e tij, policia kishte sekuestruar një sasi kanabisi, fakt që çoi në shpalljen e tij në kërkim.
Pas lokalizimit dhe kapjes, materialet procedurale janë referuar pranë Prokurorisë së Shkallës së Parë Durrës për veprime të mëtejshme ligjore. Autoritetet bëjnë me dije se operacionet për kapjen e personave të kërkuar vijojnë në mënyrë të pandërprerë.
