
Shkrimtarja reagon ashpër ndaj aludimeve për politikë dhe qeveri teknike, flet për mllefin mediatik dhe falënderon njerëzit e zakonshëm
Shkrimtarja e njohur Lea Ypi ka reaguar publikisht përmes një statusi në rrjetet sociale, duke shprehur zemërim dhe ironi ndaj shpifjeve, komenteve dhe teorive konspirative që, sipas saj, janë ndërtuar ditët e fundit në media dhe hapësirën digjitale.
Statusi i saj nis me fjalët “Mirupafshim Shqipëri”, një shprehje që shoqërohet me kritika të drejtpërdrejta ndaj asaj që Ypi e cilëson si pluhur shpifjesh dhe konspiracionesh biografike, ideologjike, gjeopolitike e sociale, të cilat ajo thotë se ia lë në derë atyre që i prodhojnë.
Në reagimin e saj, shkrimtarja thekson se kjo valë sulmesh buron nga boshllëku i mendimit, mllefi, dështimi dhe vetmia që, sipas saj, karakterizojnë një pjesë të debatit publik, veçanërisht në hapësirat anonime të rrjeteve sociale.
Në kontrast me këtë realitet, Lea Ypi vlerëson takimet e ditëve të fundit me qindra njerëz realë, lexues nga breza dhe bindje të ndryshme politike, të cilët ajo i përshkruan si të hapur për dialog, pyetje, kritika dhe përballje pa maska apo pseudonime. Ajo shprehet se këto shkëmbime rreth historisë, fatit të botës, artit dhe kërkimit të së vërtetës janë përvoja që i merr me vete.
Në reflektimin e saj më të gjerë, Ypi e krahason botën e sotme me labirintin e minotaurit, ku njerëzit kërkojnë shpëtim nga përbindësha të dukshëm e të padukshëm, duke sugjeruar se vetëm përmes bashkimit dhe rikthimit të kuptimit të të qenit njeri mund të gjendet dalja.
Reagimi vjen në një kohë kur emri i saj është përfolur në media si pjesë e mundshme e drejtimit të një qeverie teknike në Shqipëri, një ide që Ypi e ka mohuar kategorikisht dhe e ka ironizuar publikisht, duke e cilësuar si të pavërtetë dhe të dëmshme për debatin shoqëror.
