
Policia zbulon ambient të përshtatur për kultivim në lagjen Ndoc Mazi, procedohen edhe punonjës të OSHEE-së
Policia e Shkodrës ka finalizuar operacionin policor të koduar Neonët 6, duke zbuluar një tjetër banesë të përshtatur për kultivimin e bimëve narkotike në ambiente të mbyllura, me përdorimin e llambave dhe pajisjeve elektrike. Me këtë rast, shkon në 10 numri i rasteve të goditura në kuadër të operacionit të gjerë Neonët.
Si rezultat i veprimeve hetimore, janë shpallur në kërkim dy persona, të dyshuar se kishin përshtatur një banesë në lagjen Ndoc Mazi në Shkodër për kultivimin e kanabisit, duke përdorur lidhje të paligjshme të energjisë elektrike. Në kërkim janë shtetasi A. V., 35 vjeç, banues në Shkodër, si dhe një 16-vjeçar, të dy të dyshuar për veprën penale të kultivimit të bimëve narkotike, kryer në bashkëpunim.
Në vijim të operacionit, janë proceduar penalisht edhe dy punonjës të OSHEE-së, B. C., 33 vjeç dhe G. A., 63 vjeç, për shpërdorim detyre në bashkëpunim, si dhe shtetasja E. H., 22 vjeçe, banuese në Pukë, për moskallëzim krimi.
Kontrollet u ushtruan nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Shkodër në bashkëpunim me specialistët për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare, bazuar në informacione të siguruara në rrugë operative. Gjatë ndërhyrjes, u zbulua një ambient i përshtatur për kultivimin dhe tharjen e bimëve narkotike, ku u sekuestruan 60 bimë të dyshuara kanabis, 57 pajisje elektrike të përdorura për kultivim, si dhe 4 telefona celularë.
Gjithashtu, gjatë kontrollit në banesën e shtetasit H. M., 49 vjeç, ngjitur me ambientin e kultivimit dhe i ndaluar më herët për vepra të tjera penale, u gjetën dhe u sekuestruan një pistoletë sportive pneumatike pa numër, municion luftarak dhe një automjet.
Policia bën me dije se vijon puna për kapjen e dy personave të shpallur në kërkim dhe për dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie kriminale, ndërsa materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Shkodrës për veprime të mëtejshme.
