
Kallëzim penal për shpërdorim detyre, PD akuzon bashkinë dhe institucione të tjera për keqmenaxhim fondesh
Situata e përmbytjeve në Durrës ka marrë tashmë edhe një dimension ligjor, pasi kryetarja e Bashkisë, Emiriana Sako, është kallëzuar zyrtarisht në SPAK.
Kallëzimi penal është depozituar nga Ilirjana Kuçana, anëtare e Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike, e cila akuzon kryebashkiaken e Durrësit, si edhe institucione të tjera shtetërore, për veprën penale të shpërdorimit të detyrës në bashkëpunim, të parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal.
Sipas kallëzimit, përfshirë në procedurë janë edhe Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, si dhe Drejtoria e Ujitjes dhe Kullimit Durrës. Pretendohet se keqmenaxhimi i fondeve publike dhe moskryerja e detyrimeve ligjore kanë ndikuar drejtpërdrejt në përkeqësimin e situatës së përmbytjeve në qytet.
Në dokument theksohet se hetimet e SPAK mund të nxjerrin në pah edhe veprime të tjera penale të kryera në bashkëpunim nga personat dhe institucionet e përfshira. Kallëzimi i referohet Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, Kodit Penal, si dhe legjislacionit për vetëqeverisjen vendore dhe administrimin e ujitjes dhe kullimit.
Ndërkohë, SPAK pritet të shqyrtojë materialet e paraqitura dhe të vendosë mbi hapat e mëtejshëm procedurorë, në një kohë kur përmbytjet kanë shkaktuar dëme të konsiderueshme dhe reagime të forta publike në Durrës.
