Bota

Koreja e Veriut dënon stërvitjet e përbashkëta të SHBA-së, Japonisë dhe Koresë së Jugut: “Të rrezikshme dhe të pamenduara”

Pheniani paralajmëron se manovrat “Freedom Edge” pranë ishullit Jeju do të sjellin pasoja të rënda, duke i cilësuar si prova për sulme bërthamore dhe kërcënim të drejtpërdrejtë ndaj sigurisë së tij.

Kim Yo Jong, motra me ndikim e liderit Kim Jong Un, ka paralajmëruar se manovrat ushtarake që pritet të nisin këtë javë do të sjellin pasoja negative për Seulin dhe aleatët e tij.

Deklaratat e saj u publikuan të dielën nga media shtetërore, vetëm një ditë para nisjes së stërvitjeve të përbashkëta detare, ajrore dhe të mbrojtjes raketore që do të zhvillohen pranë ishullit Jeju të Koresë së Jugut. Ushtrimet, të quajtura “Freedom Edge”, do të zgjasin deri të premten.

“Ky demonstrim i pamatur force nga SHBA-ja, Japonia dhe Koreja e Jugut, pikërisht rreth Republikës Popullore Demokratike të Koresë, nuk mund të sjellë gjë tjetër veçse pasoja negative për vetë ata,” -tha Kim Yo Jong, e cila mban postin e zëvendësdrejtoreshës në Komitetin Qendror të Partisë së Punëtorëve të Koresë.

Reagimi i Phenianit vjen pas vizitës së Kim Jong Unit në qendrat e kërkimeve për armët, ku  përsëriti politikën e ndjekjes paralele të forcimit të kapaciteteve bërthamore dhe atyre konvencionale.

Ekspertët vlerësojnë se Koreja e Veriut e sheh këtë stërvitje trepalëshe si një “skenar për sulme bërthamore të kufizuara ose në shkallë të plotë dhe përpjekje për neutralizimin e raketave të saj”. Sipas Hong Min, analist i lartë në Institutin e Unifikimit të Koresë, Pheniani ka të ngjarë të përdorë këtë justifikim për të përshpejtuar programin e modernizimit të armëve bërthamore dhe forcimin e ushtrisë.

LEAVE A RESPONSE

Your email address will not be published. Required fields are marked *