
Nga Teherani në Urmia, mijëra qytetarë sfidojnë regjimin e Ajatollahëve mes krizës ekonomike dhe represionit të ashpër
Irani po përjeton valën më të gjerë të protestave kundër qeverisë në katër vitet e fundit, me demonstrata të shpërndara në mbi 100 qytete të vendit. Nga Urmia dhe Kermanshah deri në kryeqytetin Teheran, mijëra qytetarë kanë dalë në rrugë për të kundërshtuar regjimin e Ajatollahëve, të shtyrë nga kriza e rëndë ekonomike dhe inflacioni në rritje.
Sipas organizatës për të drejtat e njeriut Iran Human Rights, të paktën 45 persona kanë humbur jetën si pasojë e ndërhyrjes së forcave të sigurisë, ndërsa qindra të tjerë janë plagosur dhe mbi 2 mijë janë arrestuar. Vetëm dita e mërkurë është cilësuar si më e përgjakshmja e protestave, me 13 viktima të raportuara brenda 24 orëve.
Protestat kanë nisur fillimisht nga tregtarët e bazareve dhe janë përhapur me shpejtësi mes studentëve dhe shtresave të tjera të shoqërisë, duke përfshirë të paktën 17 nga 31 provincat e Iranit. Demonstrata janë regjistruar edhe në zona që tradicionalisht konsiderohen bastione të mbështetjes për Republikën Islamike, si Qom dhe Mashhad. Në disa qytete janë dëgjuar slogane në mbështetje të Reza Pahlavit, djali i ish-shahut, i cili nga mërgimi është shprehur i gatshëm për të udhëhequr një tranzicion drejt demokracisë përmes një referendumi.
Autoritetet iraniane akuzohen për një shtypje gjithnjë e më të dhunshme të protestave. Presidenti Massoud Pezeshkian ka bërë thirrje që forcat e sigurisë të mos ndërhyjnë kundër protestuesve paqësorë, por njëkohësisht ka paralajmëruar masa të forta ndaj atyre që, sipas tij, përdorin armë ose sulmojnë institucione shtetërore.
Në mbrëmje, organizata Netblocks raportoi një ndërprerje të gjerë të internetit në Teheran dhe në shumë qytete të tjera të vendit. Sipas saj, blackout-i është pjesë e masave të censurës digjitale për të penguar komunikimin dhe organizimin e protestave në një moment kritik për vendin.
Situata mbetet e tensionuar, ndërsa komuniteti ndërkombëtar po ndjek me shqetësim zhvillimet në Iran, mes frikës për një përshkallëzim të mëtejshëm të dhunës dhe destabilizim të brendshëm.
