Ish-zv.kryeministri Arben Ahmetaj ka deklaruar se është kërcënuar me jetë përmes mesazheve telefonike që vinin nga numra të huaj, konkretisht nga Venezuela. Në një intervistë për emisionin “Cim Peka Live” në Syri Tv, Ahmetaj tha se kërcënimet kanë ndodhur në muajin tetor dhe sipas tij nuk janë rastësore, por lidhen drejtpërdrejt me zhvillimet politike dhe hetimore në Shqipëri.
Ahmetaj theksoi se mesazhet përmbanin kërcënime serioze me vdekje dhe se çështja është referuar pranë autoriteteve përkatëse jashtë vendit.
“Urdhëro! Një nga tre mesazhet, në tetor. Të lutem a po e ndjekni? Ky është numër, kam përshtypjen o nga Mainmari, o Venezuela. Pra, o nga Burma e dikurshme ose nga Venezuela. Kërcënim me vdekje. Praktikisht këto mesazhe sot, të treja, janë me autoritetet jo vetëm zviceriane. Jo vetëm zviceriane. Praktikisht, informacioni akoma informal, më vjen që nuk janë numra të thjeshtë. Janë numra me një ndryshim VPN-je shumë të shpejtë, gjë që më çon në logjikën që nuk janë për t’u marrë me shaka. Po është koincidencë që ka të bëjë me ngjarjet e tetorit në Shqipëri? Nuk e di. Po fakti është që ky është një kërcënim i ri dhe në Shqipëri vazhdon genocidi. Unë lutem që të mos, lutem që të jetë koincidencë. Lutem që të jetë, të jetë koincidencë sepse në qoftë se s’do ishte koincidencë, besoj që një pusetë e re do hapet në raport me të gjithë njerëzit e përfshirë që kërcënojnë mua dhe familjen time. Po të them një gjë zoti Peka, se ë, sigurisht që unë jam futur në një psikozë, bindje që në pikën që unë jam, në padrejtësinë që më është bërë, për mua, e drejta ka shumë vlerë. Madje, jeta ime s’ka vlerë as sa gjysma e të vërtetës më, në raport me daljen e të vërtetës dhe në raport me sigurinë e familjes time. Në këtë psikozë jam. Dhe po ta them ty dhe po ja them dhe shqiptarëve,” tha Ahmetaj.
