Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu, gjatë një lidhje direkte për emisionin “Të Paekspozuarit” në MCN TV, ka shpjeguar situatën me përmbytjet në vend. Ai identifikoi situatën në Durrës si komplekse, ndërsa tha se në grykderdhjen e Vjosës, ka forca të shtuara dhe mjete për të përballuar situatën.
“Kemi dy situata kritike në këto momente. Situatë komplekse vijon në Durrës, për shkak të derdhjeve të lumit Erzen, Ka dislokim të fortë të forcave të armatosura, forcave civile. Vijojnë evakuime të konsiderueshme. Kemi 500 persona të evakuuar. Po marrim masa për ti akomoduar, në struktura hotelerie në Durrës. Edhe rezervat materiale të shtetit janë të angazhuara.
Nga ana tjetër, kemi situatë në grykëderdhjen e Vjosës, ku gjendemi me forca të shtuara dhe mjete, për të mbajtur argjinaturat dhe pritat lumore të përforcuara. Kemi situatë të qëndrueshme. Shtrirja në grykëderdhjen e Vjosës është e gjerë, kemi evuakuuar tre fshatra.
Fundjavën e kaluar kemi patur mbledhje të komitetit të emergjencave, janë bërë njoftimet përkatëse, krijuam edhe rritjen e gatishmërisë të forcave të armatosura. Situata dinamike në Durrës, ku priteshin reshje në të gjithë bregdetin dhe sot prurjet e lumenjeve, kanë krijuar këtë situatë të vështirë, ku jemi të dislokuar në Bashkinë e Durrësit, në Shijak, Bashkinë e Vlorës dhe të Fierit.
Jemi në gatishmëri në zonën e Bunës.
Edhe në jug të vendeti ku forcat xheniere janë të angazhuara në Gjirokastër.
Më pyesin pse ka vërshime të tilla në Gjirokastër apo Delvinë. E mbani mend situatën e zjarrit atje? Kemi faqe të tëra të zhveshura, që nuk kanë kapacitet mbajtës dhe kemi vërshime të dherave.
E mirëkuptoj kritikën për nivelin e gatishmërisë dhe nivelit të përballimit të situatave. Atë që mund tju them, është se kemi disa element suksesi. Përshembull situata në Shkodër, kemi një Shkodër të thatë për efekt të të gjithë investimet që janë realizuar përsa i përket kanalizimeve, pritave. Nga ana tjetër edhe në Vlorë, sot është e thatë pavarësisht reshjeve. Do të ketë patjetër momente për analizë, ka gjithmonë kohë për të bërë politike, sot jemi në një situatë ku pavarësisht se kemi ndryshime të natyrës klimatike, djegiet masive kanë krijuar pamundësinë e zonave malore që të mbajnë ujë, mund t’ju them se na duhet të investojmë fuqimisht”, tha Vengu.
Lidhur me ditët në vijim, ministri u shpreh optimist për ulje të prurjeve në grykderdhjen e Vjosës, por tha se ditën e nesërme priten erëra të forta në bregdet, të cilat janë të rrezikshme dhe mund të shkaktojnë dëme.
“Në matjet e fundit, kemi ulje në grykderdhjen e Vjosës. Si pasojë e të gjtihë uljeve që kemi identifikuar edhe në Përmet dhe Memaliaj, na bënë optimist që na duhet të kemi situatë edhe më të favorshme. Ditën e nesërme presim erëra të forta, shfrytëzoj rastin të njoftoj edhe teleshikuesit tuaj, erërat e forta në bregdet mund të shkaktojnë dëme, rënie pemësh. Janë disa herë më të rrezikshme se reshjet.
Dita e nesërme është dinamike edhe e vështirë. Jemi shpresëplotë se do të kemi një ulje të ujrave në basenin e Vjosës”, tha Vengu.
