Autoritetet italiane kanë realizuar një nga sekuestrimet më të mëdha të lëndëve narkotike në Portin e Genovës.
Financiarët e Komandës Provinciale të Genovës, në bashkëpunim me funksionarët e Repartit Antimashtrim të Agjencisë së Doganave dhe Monopoleve, kanë sekuestruar mbi 2 tonë kokainë shumë të pastër në zonën portuale të Sampierdarenës.
Gjatë kontrollit u zbuluan 2.109 pako, të cilat përmbanin një sasi totale prej 2.380 kilogramësh lëndë narkotike. Analizat e shpejta të kryera në momentin e sekuestrimit konfirmuan se bëhej fjalë për kokainë të pastër.
Sasia e madhe e drogës ishte fshehur brenda 87 thasëve shumëngjyrësh të mbështjellë me rrjeta najloni. Ato u kapen në një konteiner të ardhur nga Amerika e Jugut, i nisur nga një prej porteve kryesore të Kolumbisë.
Operacioni është rezultat i një aktiviteti intensiv kontrolli mbi rrugët tregtare ndërkombëtare që lidhin Amerikën e Jugut me portin e Genovës, i cili historikisht përfaqëson një nyje strategjike të flukseve tregtare drejt Evropës.
Sipas vlerësimeve të autoriteteve italiane nëse kjo sasi droge do të hidhej në treg, do t’u sillte organizatat kriminale fitime të jashtëzakonshme, me një vlerë të përllogaritur rreth 1,5 miliardë euro.
Ky sekuestrim përbën një goditje të rëndësishme ndaj trafikut ndërkombëtar të drogës. Edhe një herë, sipas autoriteteve italiane, bashkëpunimi mes Guardia di Finanza dhe Agjencisë së Doganave dhe Monopoleve dëshmohet si një shtyllë thelbësore për ruajtjen e rendit publik dhe luftën kundër krimit të organizuar.
Kokaina sekuestruar me simbolet “4 spathi” e “Yesika”.
