
Gjatë një operacioni të përbashkët policor në Gjormë, u sekuestrua një pistoletë me municion, bizhuteri floriri dhe orë të markave luksoze
Policia e Lezhë dhe e Kurbinit zhvilluan një operacion të përbashkët që çoi në ndalimin e një 37-vjeçari dhe procedimin penal të vëllait të tij. Veprimet u kryen gjatë kontrollit të një banese në fshatin Gjormë, ku i dyshuari tentoi të largohej nga vendngjarja.
Sipas policisë, gjatë kontrollit 37-vjeçari hodhi përtej murit rrethues një çantë që përmbante një armë zjarri pistoletë dhe municion luftarak, ndërsa u përpoq të largohej me vrap. Ai u kap menjëherë nga shërbimet policore dhe arma u sekuestrua.
Ndërkohë, vëllai i tij, 35 vjeç, u procedua penalisht pasi gjatë kontrollit të automjetit të tij u gjetën bizhuteri floriri dhe katër orë dore të markave luksoze, të dyshuara me burim kriminal. Sendet u sekuestruan për verifikime të mëtejshme.
Policia bëri me dije se arma, municioni dhe sendet me vlerë janë marrë në administrim, ndërsa hetimet vijojnë për të përcaktuar origjinën e tyre dhe për të dokumentuar plotësisht veprimtarinë e dyshuar kriminale.
