
Hetimet për tenderat e Unazës së Madhe thellohen, në fokus lidhjet familjare dhe dyshimet për favore ndaj bizneseve të përfshira
Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, SPAK, ka ushtruar kontrolle këtë të premte në banesën dhe zyrën e biznesmenit Arbër Abazi, në kuadër të hetimeve që lidhen me procedurat e dyshuara të tenderave të Unazës së Madhe të Tiranës.
Burime bëjnë me dije se kontrollet janë pjesë e një hetimi më të gjerë që përfshin edhe zëvendëskryeministren dhe ministren e Infrastrukturës, Belinda Balluku. Abazi është pronar i kompanisë Alko Impex dhe njihet për lidhje familjare me ish-deputetin socialist Sadri Abazi, ndërsa sipas burimeve ai bashkëjeton edhe me një të afërme të Ballukut.
Hetimet fokusohen te procedurat e ndjekura për ndarjen e loteve të Unaza e Madhe, ku dyshohet se janë kryer shkelje ligjore, mungesë gare reale dhe favorizim i bizneseve të caktuara. Sipas dyshimeve, kompanitë e lidhura me Abazin kanë përfituar kontrata publike me vlerë dhjetëra miliona euro, përmes procedurash të manipuluara dhe me paracaktim fituesi.
Burime pranë hetimit pohojnë se SPAK ka dërguar edhe një kërkesë në Kuvend për heqjen e imunitetit të Ballukut, duke hapur rrugë për veprime të mëtejshme procedurale. Ndërkohë, hetimet ndaj Abazit dhe ndikimit të tij në proceset tenderuese vijojnë intensivisht.
Sipas denoncimeve të bëra ndër vite, përfitimet e dyshuara nga tenderat e Unazës së Madhe kapin shifra mbi 80 milionë euro gjatë shtatë viteve të fundit, ndërsa dyshohet se procedurat e Autoritetit Rrugor Shqiptar janë manipuluar në favor të kompanive të tij, duke dëmtuar konkurrencën dhe interesin publik.
SPAK nuk ka dhënë ende një reagim zyrtar mbi rezultatet e kontrolleve, ndërsa pritet që në ditët në vijim të ketë zhvillime të reja lidhur me këtë çështje që ka tronditur politikën dhe sektorin e infrastrukturës.
