Operacioni në Fier, Lushnjë dhe Divjakë: Gjashte të arrestuar për skemat piramidale online

Një operacion i gjerë policor, i zhvilluar mbrëmjen e së shtunës në qytetet Fier, Lushnjë dhe Divjakë, ka çuar në pranga gjashtë persona të dyshuar për përfshirje në mashtrime financiare përmes skemave piramidale online. Ndërkohë, disa të tjerë janë shoqëruar për t’u marrë në pyetje, ndërsa hetimet për zbardhjen e plotë të rrjetit vijojnë.
Sipas Drejtorisë së Policisë së qarkut Fier, në kuadër të këtij operacioni janë kryer 83 kontrolle në banesa dhe subjekte të ndryshme. Gjatë aksionit u sekuestruan 50 aparate celularë, 11 njësi kompjuterike, një DVR, dy hard diskë, një automjet, si dhe shuma të mëdha parash: 4.2 milion lekë, 28 mijë euro, 1750 dollarë dhe 340 franga. Gjithashtu, u ngrinë gjashtë llogari të kriptomonedhave që dyshohet se shërbenin për të kanalizuar të ardhurat e aktivitetit kriminal.
“Organizatorët e vërtetë të këtyre skemave vijojnë të jenë në hetim. Ne po ndjekim të gjitha gjurmët për të zbardhur të plotë këtë rrjet kriminal. Apelojmë qytetarët të mos bien pre e investimeve mashtruese që premtojnë fitime të shpejta dhe të sigurta”, u shpreh drejtori i policisë në një konferencë për shtyp.
Ky operacion u ndërmor pas një sërë denoncimesh nga qytetarët, të cilët kishin humbur kursimet e tyre përmes platformave të maskuara si investime, por që funksiononin sipas modelit të skemave piramidale. Vetëm pak javë më parë, Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike paralajmëroi për rrjetin mashtrues TXEX, që dyshohet se u ka grabitur shqiptarëve rreth 5 milionë dollarë.