
Autoritetet britanike konfirmojnë se ngjarja nuk po trajtohet si e dyshimtë, familja është njoftuar
Një ngjarje e rëndë ka tronditur komunitetin lokal në qytetin bregdetar të Bude, në Britaninë e Madhe, ku një adoleshent 15 vjeç është gjetur i pajetë në një zonë pyjore pranë qytetit.
Sipas njoftimit zyrtar të Devon and Cornwall Police, policia është njoftuar rreth orës 16:25 të pasdites së të enjtes për një shqetësim lidhur me gjendjen e një të mituri në një zonë me pyje. Në vendngjarje mbërritën menjëherë shërbimet e emergjencës, por pavarësisht përpjekjeve, 15-vjeçari u shpall i vdekur në vend.
Autoritetet bëjnë me dije se i mituri ishte banor lokal dhe familjarët e tij janë informuar për ngjarjen. Policia ka sqaruar se, në këtë fazë, vdekja nuk konsiderohet e dyshimtë dhe se dosja do t’i referohet mjekut ligjor për procedurat përkatëse.
Ngjarja ka shkaktuar trishtim të thellë në komunitetin e zonës, ndërsa autoritetet kanë kërkuar respektimin e privatësisë së familjes në këtë moment të vështirë.
