Një denoncim shqetësues ka mbërritur në redaksinë e portalit tonë nga personeli shëndetësor, i cili ngre alarmin për moskalimin e pagave për muajin dhjetor 2025, pavarësisht se vijojnë të jenë në shërbim edhe gjatë kësaj periudhe emergjencash civile dhe festash të fundvitit.
Sipas mesazhit të ardhur, problematika prek mjekë, infermierë, sanitarë, përgjegjës shërbimesh dhe të gjithë hallkat e sistemit shëndetësor, fillimisht në QSUT, por jo vetëm. Denoncuesi thekson se paga mungon edhe në spitale të tjera të vendit.
“Vazhdojmë të punojmë ende edhe në këtë periudhë emergjencash civile, edhe në fundvit festash dhe s’po na kalojnë akoma pagën e muajit dhjetor 2025. Është skandaloze. Kujtohen vetëm për të na fotografuar për reklama, asgjë më shumë,” – thuhet në mesazh.
Më tej, personeli shëndetësor shprehet se përballë pyetjeve dhe kërkesave për sqarim, institucionet përgjegjëse kanë reaguar me heshtje dhe injorim.
“Ndërkohë që pyesim për pagën, kemi marrë vetëm heshtje dhe injorim si përgjigje. Është një problem që prek gjithë shërbimin e QSUT dhe jo vetëm. Nga sa kam marrë vesh nga miq të afërt, paga mungon edhe në spitalet e tjera të vendit,” – vijon denoncimi.
