
Prokuroria hungareze dyshon se 29-vjeçarja Dolli Molnar u vra pas një takimi intim, ndërsa autori synonte të siguronte para për të blerë armë.
Një ngjarje e rëndë ka tronditur Hungarinë, pasi modelja dhe influencuesja e njohur e fitnesit Dolli Molnar, 29 vjeçe, u gjet e vrarë në apartamentin e saj luksoz në lagjen Angyalföld të Budapest.
Trupi i pajetë i të resë u zbulua më 6 janar, pasi zjarrfikësit hynë me forcë në banesë, pas njoftimit të bërë nga miqtë që nuk kishin arritur të lidhnin kontakt me të prej dy ditësh. Policia gjeti një skenë të rëndë krimi dhe nisi menjëherë hetimet.
Autoritetet arrestuan disa orë më vonë një 33-vjeçar, E. Gabor, në një tjetër zonë të kryeqytetit. Sipas policisë, i dyshuari nuk e ka mohuar krimin gjatë marrjes në pyetje.
Prokuroria pretendon se vrasja ishte e planifikuar dhe kishte si qëllim përfitimin financiar. Sipas versionit zyrtar, autori kishte marrë kontakt me viktimën përmes një faqeje të specializuar dhe, pas takimit, e kishte vrarë për t’i marrë sendet me vlerë. Më pas, ai dyshohet se kishte për qëllim të përdorte paratë për të blerë një armë zjarri dhe për të kryer akte të tjera kriminale.
Gjykata Qendrore e Qarkut të Budapestit ka konfirmuar se i dyshuari akuzohet për vrasje të paramenduar për përfitim financiar. Hetimet janë në vijim për të zbardhur plotësisht rrethanat dhe motivet e ngjarjes.
Dolli Molnar ishte një figurë e njohur në skenën e fitnesit hungarez, me një ndjekje të gjerë në rrjetet sociale. Ajo kishte marrë pjesë në disa gara kombëtare të fitnesit dhe njihej për stilin e saj të disiplinuar të jetesës. Lajmi i vdekjes së saj ka shkaktuar reagime të shumta, ndërsa familjarë, miq dhe ndjekës kanë shprehur dhimbjen dhe ngushëllimet në rrjetet sociale.
