
Erëra deri në 160 km në orë goditën jugperëndimin e Anglisë, dhjetëra mijëra familje mbetën pa energji elektrike
Një ngjarje tragjike është regjistruar në Cornwall të Anglisë, ku një burrë rreth të pesëdhjetave është gjetur pa shenja jete pasi një pemë e madhe u rrëzua mbi makinën ku ai ndodhej, gjatë stuhisë së fuqishme Storm Goretti.
Ngjarja ka ndodhur në zonën Mawgan të qytetit Helston, mbrëmjen e së enjtes, kur shërbimet e emergjencës u thirrën pas raportimeve për një pemë të rrëzuar mbi një mjet. Ekipet ndërhynë menjëherë, ndërsa të premten vijoi puna për heqjen e pemës dhe mbeturinave.
Gjatë kontrollit të makinës, autoritetet konstatuan se burri kishte humbur jetën. Policia e Devon dhe Cornwall konfirmoi se familjarët janë njoftuar dhe po mbështeten nga oficerët, ndërsa rasti nuk po trajtohet si i dyshimtë dhe dosja do t’i kalojë mjekut ligjor.
Stuhia Goretti shkaktoi dëme të mëdha në jugperëndim të Mbretërisë së Bashkuar, duke sjellë erëra ekstreme, reshje të dendura shiu dhe ndërprerje masive të energjisë. Sipas të dhënave zyrtare, afro 70 mijë familje mbetën pa drita, ku pjesa më e madhe ndodheshin në zonat bregdetare të Cornwallit.
