Astrit Hysenaj, 54 vjeç, në ditën e tretë të përmbytjeve në Durrës, ishte nisur për në punë, por u gjet i pajetë në një kanal kullues, në zonën e ish-repartit ushtarak pranë Plepave.
Familjarët po i japin lamtumirën e fundit mes dyshimeve të forta se ai e humbi jetën në krye të detyrës, duke pastruar kanalet, ndryshe nga çfarë pretendon Bashkia e Durrësit se në momentin kur e ka marrë rrjedha e ujit nuk ka qenë në punë.
Klediana Bërsheni, mbesa e 54-vjeçarit rrëfen se daja ka dalë si çdo ditë tjetër për të shkuar në punë në orën 05:00 të mëngjesit, pavarësisht insistimit të familjes që mos të shkonte për shkak të situatës së krijuar nga moti i keq.
Deri në orën 10:30, kur Hysenaj mbaronte orarin zyrtar të punës, familja nuk është shqetësuar, por pasi ai nuk është kthyer në shtëpi kanë bërë kallëzimin në polici dhe menjëherë kanë nisur vetë kërkimet.
Bërsheni: Daja është nisur në punë si gjithmonë në 5 e gjysmë, në orarin e punës. Ka parë gjendjen dhe situatës, familja ka tentuar që ta ndalojë. Është nisur deri në momentin që mbaronte punën në 10 e gjysmë s’kemi ndjerë asnjë shqetësim, shqetësimi nisi pasi nuk u paraqit në shtëpi. Pritëm pak orë dhe nisëm kërkimet ne si familje, për shkak të situatës. E pamë që s’po vinte dhe bëmë denoncimin në polici, është 24 orarëshi që duhej të presim. Kemi nisur kërkimet vetë, kemi parë nga kamerat, që deri në orën 08:25 ai ka qenë duke punuar tek mbikalimi i parë i këmbësorëve kur vjen nga aksi Plepa-Durrës. Pastaj nuk është parë më.
Detaje më të forta rrëfen djali i xhaxhait Osman Hysenaj, i cili thotë se kanë në duar pamje filmike nga kamerat e sigurisë që tregojnë momentet e fundit të 54-vjeçarit para se ta merrte rrjedha e ujit.
“Pas asaj s’ka asnjë lloj informacioni, njeri që ta ketë parë. Ka qenë rreth orës 8:30, te filmimet e kamerave po ta shohësh ka qenë uji deri te gjuri dhe ia prapë mblidhet letrat që ishin sipër ujit dhe i hidhte te koshi,. Këto dyshojmë ne që kanë qenë momentet e fundit. Deri në momentin e fundit të jetës ka qenë në krye të detyrës. Nëse ndonjëri ka pamje filmike pas kësaj ore, të na i vendosin në dispozicion. Ai ka qenë duke punuar dhe duke mbledh letrat dhe duke i hedhur në kosh”, tha Hysenaj.
“Dhe vendi ku është gjetur, ka rënë në një kanal të vogël në zonën ku është parë për herë të fundit dhe rrjedha e ujit të nxjerr pikërisht në zonën ku është gjetur. Nuk mund të përbaltet figura e tij”, thotë Bërsheni.
