Policia e Tiranës ka arrestuar drejtoreshën e Ministrisë së Brendshme, Alma Bime, pasi theu masën e sigurisë të arrestit në shtëpi, të vendosur dy javë më parë nga Gjykata.
Bime e Ministrisë së Brendshme ka thyer arrestin shtëpiak dhe ka tentuar t’i djegë makinën e ish-partnerit.
“Efektivët arrestuan shtetasen A. B., 43 vjeçe, pasi dyshohet se ka thyer masën e sigurisë “Arrest në shtëpi” si dhe ka tentuar t’i djegë automjetin ish-bashkëjetuesit;”, sqaron policia.
Kujtojmë se Bime u ndalua pak ditë më parë, si e dyshuar për kanosjen e një të huaji përmes mesazheve dhe djegien e orendive shtëpiake të ish-bashkëjetuesit të saj, Mareglen Tomori, në banesën që ndodhet në rrugën “Hysen Xhura” në Kinostudio.
Tomori ka një vilë 3 katëshe në këtë zonë dhe prej disa kohësh kishte punësuar një të huaj me leje qëndrimi në Shqipëri që jetonte në katin e parë të vilës dhe kujdesej për kopshtin. Bime ka debatuar me ish-bashkëjetuesit kohë më parë, dhe i ka djegur krevatin në vilë.
Më pas është konfliktuar edhe me të huajin, të cilin e ka akuzuar për bashkëpunim me ish-bashkëjetuesin e saj, duke e kërcënuar se do t’ hiqte lejen e qëndrimit.
Denoncimi është bërë nga Tomori, i cili ka marrë dëshmitarë edhe punëtorin e huaj për të provuar mesazhet kërcënuese ndaj tij.
Në shtator 2025, Policia e Tiranës arrestoi Mareglen Tomorin nën dyshimin se kishte ushtruar dhunë fizike ndaj, Alma Bimes. Pas kallëzimit të bërë nga kjo e fundit, ndaj Tomorit ishte lëshuar edhe një urdhër mbrojtjeje nga gjykata.
