
Regjimi akuzohet për fshehje të viktimave, mjekët heshten ndërsa një e treta e popullsisë dyshohet e infektuar
Një krizë e rëndë shëndetësore po trondit Kubën, ku një sëmundje e paidentifikuar plotësisht, e njohur nga qytetarët thjesht si virusi, ka vënë spitalet në prag të kolapsit dhe ka nxitur akuza për fshehje të shifrave reale të viktimave nga autoritetet komuniste.
Sipas raportimeve nga terreni dhe mediave ndërkombëtare, pacientët po shfaqin simptoma të rënda si temperaturë shumë të lartë, njolla të kuqe në lëkurë, zhveshje të saj, ënjtje të kyçeve, të vjella dhe diarre. Megjithatë, shumica e të prekurve nuk kanë asnjë informacion të qartë se nga çfarë po vuajnë.
Raportet sugjerojnë se deri në një të tretën e popullsisë së Kubës mund të jetë infektuar. British Medical Journal e ka cilësuar këtë shpërthim si krizën më serioze shëndetësore që vendi ka përjetuar në dekada. Zyrtarisht, autoritetet kubane raportuan 52 vdekje deri më 17 dhjetor, shumica fëmijë, dhe mbi 38 mijë raste të dyshuara, por aktivistët e të drejtave të njeriut dhe mjekë në terren pretendojnë se shifrat reale janë shumë më të larta.
Manuel Cuesta Morúa, aktivist i njohur në Havana, deklaron se shpërthimi nisi rreth pesë muaj më parë në Matanzas, ku filluan të regjistroheshin vdekje të papritura. Sipas tij, certifikatat e vdekjes nuk përmendnin virusin, por shënonin shkaqe natyrore, duke fshehur realitetin. Ai shton se një infermiere, e cila ngriti alarmin për numrin e pazakontë të vdekjeve, u pushua nga puna dhe u hesht.
Vetëm tre muaj pasi virusi u përhap në të gjithë ishullin, qeveria e Kubës e pranoi ekzistencën e një epidemie, por refuzoi të shpallte gjendje emergjence shëndetësore kombëtare. Sëmundja përshkruhet si një arbovirus i kombinuar, ku pacientët infektohen njëkohësisht nga disa viruse, duke e bërë të vështirë diagnostikimin. Dyshohet se përfshin dengue, chikungunya, Oropouche, si edhe viruse respiratore si gripi H1N dhe Covid-19.
Autoritetet kubane këmbëngulin se këto janë sëmundje të njohura dhe jo të reja për vendin. Ministri i Shëndetësisë, José Ángel Portal Miranda, ka mohuar çdo fshehje, duke deklaruar se askush nuk mund të mbulojë një epidemi apo viktimat e saj. Por realiteti në terren tregon spitale të mbipopulluara, pacientë të shtrirë në dysheme, mungesë të theksuar barnash dhe ndërprerje të shpeshta të energjisë elektrike.
Situata është përkeqësuar edhe nga kolapsi i shërbimeve bazë. Grumbullimi i mbeturinave, problemet me furnizimin me ujë dhe mungesa e insekticideve kanë krijuar kushte ideale për shumimin e mushkonjave, duke përshpejtuar përhapjen e infeksioneve. Stuhia e fuqishme Melissa, që goditi ishullin në nëntor 2025, solli përmbytje masive dhe përkeqësoi më tej gjendjen sanitare.
Kanadaja ka vendosur kontrolle shëndetësore dhe karantinë për udhëtarët që kthehen nga Kuba, ndërsa Spanja u ka kërkuar qytetarëve të saj të shmangin udhëtimet drejt ishullit për shkak të një epidemie serioze. Organizata ndërkombëtare dhe ekspertët paralajmërojnë se mungesa e transparencës, shtypja e mediave dhe ndalimi i OJQ-ve të pavarura e bëjnë situatën edhe më të rrezikshme.
Një infermiere nga Matanzas e përmblodhi realitetin me fjalët tronditëse: nuk është gënjeshtër të thuash se po vdesim. Kriza në Kubë, sipas aktivistëve, nuk është një ngjarje e izoluar, por pasojë e viteve të tëra të dështimit të shërbimeve bazë dhe mungesës së llogaridhënies.
