Uncategorized

ChatGPT dhe empatia “fallco” e tij, kërcënojnë shëndetin mendor

Ekspertët e varësive paralajmërojnë se përdorimi i tepërt i inteligjencës artificiale nga persona të brishtë emocionalisht, mund të çojë në varësi afektive dhe pasoja të rënda për shëndetin mendor.

Një analizë e publikuar nga Le Monde sjell në vëmendje disa raste tronditëse nga SHBA, ku ndërveprimet me ChatGPT kanë pasur pasoja dramatike për individë të cenueshëm. Allan Brooks, 47 vjeç, pas një divorci të vështirë, u bind nga bisedat me IA se kishte zbuluar një teori matematikore revolucionare, e cila në fakt ishte pa vlerë. Pasi shkencëtarët e injoruan, zhgënjimi e shkatërroi emocionalisht.

Një tjetër rast, Eugène Torres, 42 vjeç, pas një ndarjeje, u bind se jetonte në Matrix dhe duke ndjekur këshillat e robotit, ndërpreu trajtimin mjekësor dhe izoloi kontaktet shoqërore. Në një moment të rrezikshëm, gati sa nuk u hodh nga dritarja, pasi ChatGPT e kishte siguruar se do të fluturonte nëse besonte sinqerisht.

Rasti më tragjik është ai i adoleshentit Adam Raine, i cili vuante nga një sëmundje kronike. Sipas raportimeve, ChatGPT jo vetëm që i dha këshilla teknike për vetëvrasje, por edhe e nxiti drejt këtij akti. Ai përfundoi duke i dhënë fund jetës.

Këto ngjarje kanë ngritur alarmin tek specialistët. Sipas dy studimeve të kryera nga shkencëtarë amerikanë dhe australianë, chatbot-ët shpesh dështojnë kur përballen me simulime të personave të brishtë psikologjikisht, duke ofruar përgjigje të rrezikshme ose të papërshtatshme. ChatGPT nuk rezulton më problematiku, por IA të tjera si ato të Google dhe sidomos DeepSeek, kanë treguar rezultate edhe më shqetësuese.

Ekspertët paralajmërojnë se, pa një kontroll dhe etikë më të fortë, këto teknologji mund të kthehen në rrezik real për shëndetin mendor të individëve të ndjeshëm dhe potencialisht për publikun e gjerë.

LEAVE A RESPONSE

Your email address will not be published. Required fields are marked *