Banorët e Spitallës janë ngritur në protestë, pas situatës me motin e keq që ka përfshirë vendin ditët e fundit. Si pasojë e kësaj, ata shprehen se kanë pësuar dëme të mëdha materiale në banesat dhe bizneset e tyre. Banorët ankohen për rrugën, e cila është e ndërtuar nga një firmë private, nuk ka projektim dhe trotuaret janë vetëm 30 centimetra të gjera. Gjithashtu shtyllat e elektricitetit janë të vendosura, në mes të trotuareve.
Ata thonë se kanalizimet e bllokuara kanë shkaktuar përmbytje, duke vënë në rrezik jetën e tyre dhe të fëmijëve të tyre. Bëhet me dije se në këtë lagje jetojnë rreth 300 familje, ndërsa lëvizja e makinave dhe siguria e fëmijëve janë në rrezik. Sipas tyre ,në të njëjtën rrugë kanë humbur jetën dy burra dhe një fëmijë.
Protestës i janë bashkuar edhe deputetë të opozitës, Igli Cara dhe Iliriana Kuçana, ish-kandidate për deputete e PD-së. Banorët kërkojnë ndërhyrje urgjente nga institucionet për zgjidhje të problemit. Ata kanë paralajmëruar se nëse kjo nuk zgjidhet, ata do të vazhdojnë me protesta edhe më masive./
