
Aeroplani që fluturonte nga Rourkela drejt Bhubaneswar u rrëzua rreth 10 kilometra nga destinacioni, nis reagimi emergjent
Një avion i vogël pasagjerësh u rrëzua të shtunën në shtetin Odisha të Indisë, duke vënë në alarm autoritetet lokale dhe ato të aviacionit. Mjeti ajror, një avion privat me nëntë vende që operonte një fluturim të rregullt mes qyteteve Rourkela dhe Bhubaneswar, u rrëzua rreth 10 deri në 15 kilometra larg Rourkelës, për shkaqe që ende mbeten të paqarta.
Sipas informacioneve paraprake, në bord ndodheshin shtatë persona, gjashtë pasagjerë dhe piloti. Ekipet e shpëtimit mbërritën menjëherë në vendngjarje dhe arritën të nxirrnin të gjithë personat nga rrënojat e avionit. Të plagosurit janë transportuar në një spital të afërt për ndihmë mjekësore, ndërsa autoritetet bëjnë me dije se gjendja e tyre paraqitet e stabilizuar dhe se nuk raportohet për humbje jete.
Ministri i Tregtisë dhe Transportit i Odishas konfirmoi zyrtarisht ngjarjen, duke deklaruar se bëhet fjalë për një aksident të një fluturimi privat me nëntë vende. Ai theksoi se pasagjerët kanë pësuar vetëm lëndime të lehta dhe e cilësoi incidentin si jo të rëndë, duke shtuar se hetimet për shkaqet e rrëzimit kanë nisur.
Ndërkohë, drejtori i aeroportit ndërkombëtar të Bhubaneswarit dha një version të ngjashëm, duke sqaruar se avioni kishte kryer një ulje emergjente pak kilometra para destinacionit final dhe se në bord ndodheshin pasagjerë dhe anëtarë të ekuipazhit, të cilët janë të gjithë jashtë rrezikut për jetën.
Autoritetet e aviacionit civil kanë nisur hetimet për të përcaktuar shkaqet e aksidentit, ndërsa priten informacione të tjera zyrtare në orët në vijim.
