
Autoritetet i cilësojnë demonstruesit si armiq të Zotit, ndërsa protestat përhapen në të gjithë vendin pavarësisht bllokimit të internetit
Autoritetet iraniane kanë paralajmëruar një përshkallëzim të fortë të represionit ndaj protestave që po tronditin vendin prej ditësh. Prokurori i Përgjithshëm i Iranit, Mohammad Movahedi Azad, deklaroi se çdo person që merr pjesë ose ndihmon protestat mund të akuzohet si armik i Zotit, një vepër penale që sipas ligjit iranian parashikon edhe dënimin me vdekje.
Deklarata u transmetua nga media shtetërore, teksa protestat kanë hyrë në javën e dytë dhe po intensifikohen pavarësisht ndërprerjes së internetit në shkallë kombëtare. Sipas autoriteteve, jo vetëm protestuesit, por edhe personat që mbështesin apo ndihmojnë të ashtuquajturit trazues, do të përballen me të njëjtën akuzë të rëndë.
Sipas Kodit Penal iranian, akuzat për moharebeh ose korrupsion mbi tokë parashikojnë disa lloje ndëshkimesh, përfshirë ekzekutimin, varje, amputime ose internim të përhershëm brenda vendit. Gjykatësit kanë diskrecion të plotë për të zgjedhur masën e dënimit, çka ka ngritur shqetësime të mëdha tek organizatat për të drejtat e njeriut.
Protestat kanë vazhduar në qytete të mëdha si Teherani, Mashhadi, Tabrizi dhe Qomi, ku qytetarët kanë brohoritur slogane kundër udhëheqjes së vendit dhe kanë shprehur zemërim për gjendjen e rëndë ekonomike, inflacionin e lartë dhe rënien e monedhës kombëtare. Këto janë demonstratat më të mëdha që nga trazirat e viteve 2022–2023, të nxitura atëherë nga vdekja e Mahsa Amini në paraburgim.
Udhëheqësi Suprem i Iranit, Ali Khamenei, i ka cilësuar protestuesit si vandalë dhe sabotatorë, duke akuzuar Shtetet e Bashkuara për nxitjen e trazirave. Ndërkohë, shefi i gjyqësorit iranian ka paralajmëruar se ndëshkimet do të jenë maksimale dhe pa asnjë tolerancë.
Reagime ka pasur edhe nga jashtë vendit. Presidenti amerikan Donald Trump ka paralajmëruar Teheranin që të mos përdorë dhunë ndaj protestuesve paqësorë, duke thënë se udhëheqja iraniane ndodhet në një situatë shumë të vështirë. Organizatat ndërkombëtare për të drejtat e njeriut kanë denoncuar bllokimin e internetit si përpjekje për të fshehur dhunën dhe shkeljet e rënda ndaj civilëve.
Situata në Iran mbetet e tensionuar, ndërsa paralajmërimet për dënime ekstreme pritet të rrisin edhe më shumë frikën dhe presionin mbi qytetarët që kanë dalë në rrugë për të protestuar.
