
Reagimi i Elon Mask vjen mes paralajmërimeve të qeverisë britanike për mbylljen e mundshme të platformës X, pas skandalit me imazhe seksuale të gjeneruara nga inteligjenca artificiale Grok
Elon Mask ka reaguar ashpër ndaj kryeministrit britanik Keir Starmer, duke e akuzuar qeverinë laburiste se po kërkon justifikime për censurë, në mes të debatit të fortë mbi përmbajtjet seksuale të gjeneruara nga inteligjenca artificiale në platformën X.
Miliarderi amerikan ripostoi në rrjetin e tij social një imazh të krijuar nga AI, ku Starmer shfaqet me bikini, të shoqëruar me mesazhin se synimi i vërtetë i kritikëve është shtypja e fjalës së lirë. Reagimi i Musk erdhi pasi Starmer deklaroi se të gjitha opsionet janë në tryezë, përfshirë edhe mbylljen e mundshme të X në Britani, nëse platforma nuk ndalon krijimin dhe shpërndarjen e imazheve të paligjshme, përfshirë deepfake dhe përmbajtje që lidhen me abuzimin seksual të fëmijëve.
Skandali shpërtheu pas zbulimit se Grok, mjeti i inteligjencës artificiale i zhvilluar nga xAI dhe i integruar në X, ishte përdorur për të krijuar imazhe nudo të personave realë, përfshirë edhe fëmijë. Rregullatori britanik Ofcom ka nisur një vlerësim të përshpejtuar ndaj X dhe xAI, ndërsa qeveria britanike e cilëson situatën të papranueshme.
Downing Street theksoi se kufizimi i funksioneve të Grok vetëm për përdoruesit me pagesë nuk përbën zgjidhje reale, por thjesht e kthen krijimin e imazheve të paligjshme në një shërbim premium. Sipas zyrtarëve britanikë, kjo qasje është fyese për viktimat e dhunës seksuale dhe tregon se platforma vepron vetëm nën presion.
Sekretarja britanike e Teknologjisë ka deklaruar se do të mbështesë plotësisht Ofcom nëse vendos të ndërmarrë masa të forta, përfshirë bllokimin e platformës, në rast se X nuk respekton ligjet e sigurisë online. Sipas Aktit të Sigurisë Online, kompanitë e rrjeteve sociale rrezikojnë gjoba deri në 10 për qind të të ardhurave globale ose masa ekstreme si ndërprerja e shërbimit në vend.
Debati ka marrë edhe përmasa ndërkombëtare, pasi disa ligjvënës amerikanë kanë paralajmëruar se ndalimi i X në Britani mund të sjellë pasoja politike dhe diplomatike. Ndërkohë, figura publike dhe organizata për mbrojtjen e fëmijëve kërkojnë masa të menjëhershme, duke theksuar se teknologjia duhet të jetë e sigurt që në dizajn dhe jo të reagojë vetëm pasi dëmi është bërë.
Çështja ka rikthyer në qendër të vëmendjes konfliktin mes lirisë së shprehjes dhe mbrojtjes nga abuzimi digjital, në një epokë ku inteligjenca artificiale po sfidon kufijtë ligjorë dhe etikë në mbarë botën.
