
Ministri i Mbrojtjes Pirro Vengu thotë se forcat ushtarake dhe strukturat e emergjencave janë në terren për të garantuar sigurinë e qytetarëve.
Situata në zonën e lumit Seman vijon të mbetet e rënduar, ndërsa autoritetet kanë vazhduar operacionet e evakuimit të banorëve gjatë gjithë natës si masë parandaluese për mbrojtjen e jetës dhe pronës.
Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu, bëri me dije se forcat e Regjimentit të Këmbësorisë së Jugut kanë qenë të angazhuara pa ndërprerje në të dy anët e lumit Seman, duke përballuar kushte të vështira në terren. Sipas tij, operacioni ka kërkuar përkushtim dhe sakrificë të vazhdueshme nga efektivët e angazhuar.
Evakuimi i banorëve nga fshatrat pranë lumit, në territorin e bashkive Kuçovë dhe Dimal, është kryer për të shmangur çdo rrezik të mundshëm nga rritja e nivelit të ujit dhe përkeqësimi i kushteve atmosferike.
Forcat e Armatosura, në bashkëpunim të ngushtë me Agjencinë Kombëtare të Mbrojtjes Civile dhe strukturat vendore, vijojnë të jenë të pranishme në terren për monitorimin e situatës dhe për ndërhyrje të menjëhershme në rast nevoje.
Autoritetet u bëjnë thirrje banorëve të zonave të rrezikuara të bashkëpunojnë me strukturat shtetërore dhe të ndjekin udhëzimet e dhëna, ndërsa situata po mbahet nën vëzhgim të vazhdueshëm.
