
Një risi e zhvilluar nga Universiteti i Nanjing në Kinë premton të revolucionarizojë përdorimin e energjisë së pastër. Bëhet fjalë për kristale mikroskopike transparente, të cilat mund të aplikohen mbi xhamat e dritareve duke i shndërruar ato në impiante diellore të padukshme.
Teknologjia funksionon duke përthithur dritën dhe duke e shpërndarë atë drejt anëve të xhamit, ku vendosen qelizat fotovoltaike. Eksperimentet e para kanë treguar se kjo shtresë tepër e hollë, e ngjashme me plastikën transparente, është efikase në prodhimin e energjisë pa ndikuar aspak në pamjen dhe estetikën e ndërtesave.
Ky inovacion shihet si një hap i madh përpara në drejtim të integrimit të energjisë diellore në arkitekturën urbane, duke ofruar ndërtesa autosuficiente energjikisht dhe pa nevojë për panele tradicionale.
Për më tepër, teknologjia ka potencial të madh përdorimi edhe në serra bujqësore, ku do të mundësonte shfrytëzimin e sipërfaqeve të gjelbra për prodhimin e energjisë së pastër, duke kombinuar kështu prodhimin bujqësor me atë energjetik.