
Londra dhe aleatët e BE-së diskutojnë një prani ushtarake në Arktik përballë Rusisë dhe Kinës, në përpjekje për të shmangur aneksimin amerikan të ishullit.
Groenlanda po kthehet gjithnjë e më shumë në një nyje kyçe të përplasjes gjeopolitike globale. Këtë herë, në skenë ka hyrë Britania e Madhe, e cila sipas mediave britanike po diskuton me aleatët europianë mundësinë e dërgimit të forcave ushtarake në ishull për të garantuar sigurinë në Arktik dhe për të zbutur shqetësimet e Shteteve të Bashkuara.
Sipas raportimeve, Downing Street ka zhvilluar takime me përfaqësues të vendeve si Gjermania dhe Franca për të hedhur bazat e një plani që mund të përfshijë dislokimin e ushtarëve, anijeve luftarake dhe avionëve britanikë në Groenlandë. Objektivi zyrtar do të ishte mbrojtja e rajonit nga ndikimi i Rusisë dhe Kinës, ndërsa qëllimi politik i pashprehur hapur mbetet bindja e presidentit amerikan Donald Tramp që të heqë dorë nga ambicia për aneksimin e ishullit.
Ndërkohë, qëndrimi i Groenlandës është bërë gjithnjë e më i ashpër. Të pesë partitë politike të ishullit kanë dalë me një deklaratë të përbashkët, duke theksuar se Groenlanda nuk është në shitje dhe se e ardhmja e saj do të vendoset vetëm nga groenlandezët. Mesazhi është drejtuar drejtpërdrejt ndaj Trampit, i cili ka përsëritur se SHBA nuk mund të lejojë që Rusia apo Kina të marrin kontrollin e ishullit, duke e cilësuar Groenlandën si jetike për sigurinë kombëtare amerikane.
Në Nuuk, kryeqytetin e ishullit, tensionet politike po rriten. Disa zëra në qeverinë vendase kanë lënë të hapur mundësinë e negociatave direkte me Uashingtonin, pa ndërmjetësimin e Danimarkës, një ide që shihet me shqetësim në Kopenhagë. Ministrja e Jashtme e Groenlandës ka deklaruar se ishulli duhet të ulet në tryezë si palë e barabartë në çdo diskutim për të ardhmen e tij.
Administrata amerikane, megjithatë, ka dhënë sinjale të përziera. Zëvendëspresidenti JD Vance dhe zyrtarë të tjerë kanë minimizuar mundësinë e një ndërhyrjeje të menjëhershme ushtarake, ndërsa sekretari i Shtetit Marco Rubio pritet të diskutojë çështjen me homologun danez. Tramp ka përmendur hapur edhe opsionin e “blerjes” së Groenlandës, duke ofruar investime, vende pune dhe përfitime financiare për popullsinë vendase.
Situata ka rritur alarm edhe në Danimarkë, ku një pjesë e opinionit publik nuk e përjashton më një skenar ekstrem të një ndërhyrjeje amerikane. Reagimi politik danez ka qenë i prerë, duke theksuar se çdo sulm ndaj një vendi anëtar të NATO-s do të sillte shpërbërjen e vetë aleancës.
Në këtë kontekst, edhe NATO po vihet në një provë të vështirë. Sekretari i Përgjithshëm Mark Rutte dhe përfaqësues të Bashkimit Europian kanë theksuar rëndësinë strategjike të Arktikut për sigurinë euro-atlantike, ndërsa në Bruksel po shqyrtohen edhe masa ekonomike dhe ushtarake për të frenuar çdo ambicie ekspansioniste.
Dislokimi i mundshëm i forcave europiane në Groenlandë, nën ombrellën e NATO-s, shihet si një hap delikat, që mund të thellojë krizën brenda vetë aleancës. Por për shumë kryeqytete europiane, kjo është një lëvizje e domosdoshme për të ruajtur ekuilibrat strategjikë dhe për të shmangur një përplasje të paprecedentë mes aleatëve.
