
Autoritetet indiane i kërkuan platformës të ndërmarrë masa të menjëhershme ndaj përmbajtjeve seksuale të gjeneruara nga inteligjenca artificiale.
Platforma e rrjeteve sociale X ka ndërmarrë masa konkrete pas një ankese zyrtare nga qeveria indiane, duke bllokuar më shumë se 3 500 postime dhe duke fshirë mbi 600 llogari, të lidhura me përmbajtje obscene dhe seksualisht eksplicite të gjeneruara nga chatbot-i Grok AI.
Veprimi erdhi pas një shkresë të dërguar më 2 janar nga Ministria indiane e Elektronikës dhe Teknologjisë së Informacionit, e cila evidentoi mangësi serioze në kontrollin e këtij lloji përmbajtjeje në platformë. Në letër theksohej qartë se ligji i vendit duhet të zbatohet pa përjashtim.
Sipas raportimeve, X i ka siguruar autoritetet se po vepron në përputhje me legjislacionin indian për përmbajtjet online dhe ka paraqitur një raport mbi masat e marra, siç ishte kërkuar nga qeveria. Platforma, në pronësi të Elon Musk, ishte urdhëruar të raportonte konkretisht për mënyrën se si po trajton përmbajtjet e papërshtatshme të krijuara nga Grok.
Zyrtarë pranë çështjes kanë bërë me dije se autoritetet indiane e kanë cilësuar Grok jo si një mjet neutral, por si një krijues përmbajtjeje, duke theksuar se edhe inteligjenca artificiale duhet të mbajë përgjegjësi ligjore për atë që prodhon.
India ka paralajmëruar se nëse platformat nuk respektojnë rregullat, mund të humbasin mbrojtjen ligjore që u garanton statusi i ndërmjetësit digjital. Autoritetet kanë theksuar gjithashtu se masa të ngjashme mund të merren edhe ndaj platformave të tjera nëse chatbot-ët e tyre nuk përputhen me ligjin.
Çështja e Grok AI ka nxitur reagime edhe në vende të tjera, duke rikthyer në qendër të debatit global përgjegjësinë e platformave teknologjike dhe kufijtë ligjorë të përmbajtjes së gjeneruar nga inteligjenca artificiale.
