
Qeveria britanike paralajmëron kufizime ndaj platformës pas krijimit të imazheve seksuale me inteligjencë artificiale, ndërsa Musk flet për censurë.
Platforma sociale X po përballet me rrezikun e ndalimit në Mbretërinë e Bashkuar, pasi mjeti i saj i inteligjencës artificiale, Grok, është përdorur për të krijuar imazhe të seksualizuara të grave dhe fëmijëve. Autoritetet britanike kanë paralajmëruar se platforma nuk po arrin të heqë përmbajtje abuzive dhe të paligjshme.
Sekretarja britanike e Teknologjisë ka konfirmuar se qeveria po shqyrton vendosjen e kufizimeve të aksesit ndaj X në bazë të Aktit për Sigurinë Online. Paralajmërimi vjen pas një njoftimi nga autoriteti rregullator i komunikimeve, i cili ka bërë të ditur se mund të ndërmarrë masa brenda pak ditësh nëse përmbajtja e paligjshme nuk hiqet.
Kontroversitë shpërthyen pasi përdorues të Grok modifikuan foto të grave dhe të miturve, duke i paraqitur në situata dhe veshje seksualisht eksplicite. Rasti ka ngritur shqetësime serioze për përdorimin e inteligjencës artificiale dhe mungesën e mekanizmave efektivë të kontrollit.
Reagime ka pasur edhe jashtë Britanisë. Kryeministri australian e ka cilësuar përdorimin e AI-së për shfrytëzimin e personave pa pëlqim si të papranueshëm dhe tronditës, duke theksuar nevojën për rregulla më të forta ndërkombëtare.
Ndërkohë, disa figura politike kanë tentuar ta justifikojnë debatin përmes argumentit të lirisë së shprehjes. Ish-kryeministrja britanike Liz Truss ka kritikuar ashpër idenë e ndalimit të platformës, duke e quajtur atë një reagim të tepruar.
Platforma X ka ndërmarrë disa masa, duke kufizuar përdorimin e Grok për krijimin e imazheve vetëm për përdoruesit me pagesë. Megjithatë, sipas kritikëve, ende ekzistojnë mënyra për të prodhuar përmbajtje seksuale përmes aplikacioneve të tjera të lidhura me Grok.
Nga ana e tij, pronari i X, Elon Mask, ka akuzuar qeverinë britanike se po përpiqet të shtypë lirinë e fjalës dhe ka sulmuar rregullatorët për kërcënimin me ndalim. Kritikat ndaj platformës, megjithatë, theksojnë se X po i jep përparësi rritjes dhe zhvillimit teknologjik mbi sigurinë e përdoruesve, duke e bërë gjithnjë e më të vështirë kontrollin e përmbajtjes së gjeneruar nga inteligjenca artificiale.
