
Dokumenti i komunës për lejet dhe kontrollet e detyrueshme nuk është më i aksesueshëm online, ndërsa hetimet për zjarrin me 40 viktima vazhdojnë.
Një dokument zyrtar i Komunës së Crans-Montana, i cili përshkruante rregullat dhe procedurat e sigurisë kundër zjarrit, rezulton të jetë zhdukur nga faqja zyrtare e institucionit, vetëm pak muaj pasi ishte publikuar. Lajmi është bërë publik nga media zvicerane Blick, në një moment tepër delikat, ndërsa autoritetet hetojnë zjarrin tragjik të 1 janarit që i mori jetën 40 personave dhe la 116 të plagosur.
Dokumenti, i titulluar Komuna e Crans-Montana investon në sigurinë publike, ishte një broshurë prej 10 faqesh e dedikuar posaçërisht sigurisë kundër zjarrit dhe rolit të bashkisë në parandalimin e rreziqeve. Aktualisht, faqja ku ishte publikuar nuk është më e aksesueshme. Sipas raportimeve, as kryetari i bashkisë dhe as prokuroria nuk kanë dhënë sqarime për arsyet e heqjes së dokumentit apo nëse institucionet vazhdojnë ta kenë atë në dispozicion.
Në përmbajtjen e tij, dokumenti theksonte se komuna kishte krijuar një shërbim të posaçëm për sigurinë publike, me detyra që përfshinin mbështetjen e qytetarëve, mbikëqyrjen e aktiviteteve dhe parandalimin e rreziqeve. Në të sqarohej gjithashtu se çdo event publik, edhe kur zhvillohej në ambiente private, duhej të pajisej me autorizim nga Këshilli Bashkiak, pas vlerësimit nga Shërbimi i Sigurisë.
Broshura përshkruante qartë procesin e kontrollit, duke përfshirë analizën e kapacitetit të ambienteve, rrugët e evakuimit dhe instalimet teknike si gazi, energjia elektrike dhe sistemet kundër zjarrit. Aty theksohej gjithashtu se të dhënat për strukturat integroheshin në një sistem gjeografik për t’u ardhur në ndihmë shërbimeve të emergjencës në raste rreziku.
Komuna e Crans-Montana paraqitej në dokument si model i praktikave të mira, duke përmendur raste konkrete të përshtatjes së ndërtesave me standardet e sigurisë kundër zjarrit. Ironikisht, përmbajtja e këtij dokumenti duket sot në kontrast të fortë me rrethanat që çuan në tragjedinë e 1 janarit.
Në qendër të dyshimeve janë edhe pronarët e lokalit Le Constellation, ku ndodhi masakra. Pyetjet që shtrohen janë të shumta: a janë plotësuar formularët e detyrueshëm për eventin e Vitit të Ri, a janë kryer inspektimet e parashikuara, a është dhënë një leje zyrtare dhe mbi çfarë bazash? Dhe nëse jo, si u lejua zhvillimi i aktivitetit?
Hetuesit pritet të verifikojnë nëse këto dokumente dhe procedura janë pjesë e dosjes së prokurorisë dhe nëse zinxhiri i përgjegjësive është respektuar. Për momentin, shumë prej këtyre pyetjeve mbeten pa përgjigje, ndërsa zhdukja e dokumentit nga faqja zyrtare e komunës vetëm sa i shton hijet e dyshimit mbi menaxhimin e sigurisë përpara tragjedisë.
