
Tramp tregon se operacioni u përgatit në detaje në një bazë ushtarake në Kentaki, duke e ndjekur personalisht nga afër.
Forcat amerikane u stërvitën duke përdorur një kopje në përmasa reale të kompleksit ku do të zhvillohej operacioni, përpara kapjes së presidentit të Venezuelës, Nicolas Maduro. Lajmi është konfirmuar nga vetë presidenti amerikan Donald Tramp, i cili ka deklaruar se ka ndjekur nga afër çdo fazë të operacionit, përfshirë edhe përgatitjet ushtarake.
Në një intervistë për gazetarët e The New York Times në Shtëpinë e Bardhë, Tramp tha se në një bazë ushtarake në shtetin e Kentakit ishte ndërtuar një replikë e saktë e objektit ku do të kryhej ndërhyrja, në mënyrë që trupat të stërviteshin në kushte sa më të afërta me realitetin.
Tramp pranoi se kishte shqetësime serioze për operacionin dhe se druhej që situata të përfundonte në një dështim historik, duke e krahasuar me krizën e vitit 1980 gjatë presidencës së Jimmy Carter. Sipas tij, pikërisht kjo frikë e shtyu administratën të tregonte kujdes ekstrem dhe të mos linte asgjë në dorë të rastësisë.
Pas kapjes së Nicolas Maduro dhe bashkëshortes së tij, Cilia Flores, Tramp u shfaq i bindur për hapat e ardhshëm të SHBA-së në Venezuelë. Ai deklaroi se vendi do të “rindërtohet në mënyrë shumë fitimprurëse”, duke theksuar interesin amerikan për rezervat e mëdha të naftës venezueliane.
Sipas Tramp, Shtetet e Bashkuara synojnë të përdorin burimet e naftës për të ulur çmimet globale dhe njëkohësisht për t’i dhënë Venezuelës ndihmën financiare që, sipas tij, i nevojitet urgjentisht. “Ne do të marrim naftë, do të ulim çmimet dhe do t’i japim Venezuelës paratë që i duhen”, u shpreh ai para gazetarëve.
Zhvillimet pas kapjes së presidentit venezuelian po ndiqen me vëmendje nga komuniteti ndërkombëtar, ndërsa deklaratat e Trampit kanë hapur debat të gjerë mbi ndërhyrjen amerikane, interesat ekonomike dhe të ardhmen politike të Venezuelës.
