
Avioni u rrëzua menjëherë pas ngritjes, duke i marrë jetën artistit 34-vjeçar dhe pesë personave të tjerë, fansat dhe familja në zi.
Bota e muzikës kolumbiane është tronditur nga një tragjedi e rëndë, pasi këngëtari i njohur Yeison Jiménez ka humbur jetën në një aksident ajror, vetëm pak orë para një koncerti që ishte planifikuar të mbahej mbrëmjen e kaluar.
Avioni i vogël me të cilin udhëtonte Jiménez, së bashku me muzikantët dhe bashkëpunëtorët e tij, u rrëzua menjëherë pas ngritjes nga aeroporti Paipa, në provincën Tundama të Kolumbisë. Sipas dëshmitarëve, mjeti fluturues nuk arriti të merrte lartësinë e nevojshme dhe përfundoi në pistë, duke shpërthyer në flakë.
Autoriteti i Aviacionit Civil të Kolumbisë konfirmoi se të gjashtë personat në bord kanë humbur jetën. Mes viktimave janë piloti, bashkëpiloti dhe katër pasagjerë, përfshirë edhe këngëtarin 34-vjeçar. Ndër të ndjerët është edhe fotografi i tij, Weisman Mora, i cili pak minuta para nisjes kishte publikuar një video të fundit nga brenda avionit.
Avioni ishte nisur drejt qytetit Medellín, pranë Marinilla-s, ku Yeison Jiménez pritej të performonte para fansave të tij. Tragjikisht, koncerti nuk u mbajt kurrë.
Vetëm pak orë para se të hipte në avion, Jiménez kishte ndarë një postim prekës në Instagram, ku shkruante: Gjithmonë i përulur, sepse atë që Zoti ta jep, mund edhe ta marrë. Fjalë që sot po qarkullojnë masivisht në rrjetet sociale si një paralajmërim i dhimbshëm.
Këngëtari, i cili nisi karrierën muzikore që në moshën shtatëvjeçare dhe u kthye në një nga emrat më të dashur të muzikës popullore kolumbiane, kishte treguar më herët në një podcast se kishte parë disa herë në ëndërr se do të vdiste në një aksident ajror, rrëfim që sot ka marrë një domethënie tronditëse.
Mes viktimave të tjera janë identifikuar piloti Hernando Torres, Juan Manuel Rodriguez, Oscar Marin dhe Jefferson Osorio. Avioni dyshohet se i përkiste kompanisë së vetë këngëtarit, YJ Company SAS.
Familja e artistit ka reaguar me dhimbje të thellë. Një nga vajzat e tij, Camila Jiménez, shkroi në rrjetet sociale: Të dua babi. Nuk e imagjinon sa shumë më dhemb të shoh videot e tua dhe të mos jesh më këtu.
Ndërkohë, fansat nga e gjithë Kolumbia dhe jashtë saj kanë shpërthyer në homazhe, duke e kujtuar Yeison Jiménez si një artist të madh, njeri të përulur dhe baba të dashur. Muzika dhe trashëgimia e tij artistike do të vijojnë të jetojnë, edhe pse largimi i tij i parakohshëm ka lënë një boshllëk të madh.
