
Ish-ministri kërkon transparencë mbi provat digjitale dhe vë në diskutim standardet e përdorura në hetim
Ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj, ka bërë publike një letër drejtuar SPAK, ku këmbëngul në kërkesën për t’u njohur me dosjen e tij hetimore dhe mënyrën se si janë administruar provat digjitale që rëndojnë mbi të.
Në letrën e publikuar nga avokati i tij, Ermal Yzeiraj, Beqaj shprehet se që prej korrikut 2025 mbrojtja i është drejtuar në mënyrë të përsëritur SPAK-ut me kërkesa dhe pyetje zyrtare, pa marrë asnjë përgjigje. Sipas tij, nuk është kërkuar asnjë sekret hetimor dhe as nuk është synuar cenimi i procesit, por vetëm njohja me bazën teknike mbi të cilën ngrihen provat.
Beqaj thekson se kërkesa e tij lidhet me parimin elementar të drejtësisë dhe transparencës. Ai ngre pikëpyetje mbi përdorimin e termave si standard i lartë apo praktikë ndërkombëtare, duke kërkuar që këto standarde të identifikohen qartë, të përcaktohet se prej kur zbatohen dhe nëse janë të certifikuara apo të akredituara nga institucione përkatëse.
Në reagimin e tij, ish-ministri kërkon që çështja të vihet në vëmendje edhe të institucioneve të tjera të drejtësisë, si Këshilli i Lartë Gjyqësor, Këshilli i Lartë i Prokurorisë dhe Inspektori i Lartë i Drejtësisë, duke theksuar se edhe politika nuk duhet të qëndrojë jashtë këtij debati.
Një pjesë e rëndësishme e letrës ndalet te administrimi i pajisjeve dhe të dhënave digjitale në proceset penale. Beqaj argumenton se në praktikën shqiptare, pajisjet si laptopë apo telefona inteligjentë trajtohen si prova materiale klasike, ndërkohë që thelbi i ndërhyrjes është përmbajtja digjitale dhe jo vetë pajisja.
Ai i referohet vendimit të Gjykatës Kushtetuese në çështjen Studio Pustina, duke pretenduar se në tri shkallët e gjykimit janë keqinterpretuar nocione kyçe të Konventës së Budapestit, Kushtetutës dhe legjislacionit penal, veçanërisht përkufizimi i sistemit kompjuterik dhe garancitë procedurale për nxjerrjen dhe kopjimin e të dhënave.
Sipas Beqajt, edhe një smartphone përmbush kriteret për t’u konsideruar sistem kompjuterik dhe, si i tillë, kërkon trajtim të posaçëm ligjor dhe mbrojtje të shtuar të të drejtave themelore të individit.
Ilir Beqaj ndodhet në paraburgim dhe akuzohet për vjedhje duke shpërdoruar detyrën në bashkëpunim, në kuadër të një grupi kriminal. Me këtë letër publike, ai synon të vërë në qendër të debatit jo vetëm çështjen e tij personale, por edhe mënyrën se si funksionon drejtësia penale në raport me provat digjitale në Shqipëri.
