Aktualitet Bota

Sanksionet ndaj Rusisë, mollë sherri mes Shteteve të Bashkuara dhe Evropës, përballë Kinës

Përpara se të shtojë presionin mbi Vladimir Putinin, Donald Trump u kërkon aleatëve europianë të ndalojnë së bleri naftë ruse dhe të rrisin tarifat doganore mbi produktet kineze. Për BE-në kjo është e papranueshme, teksa të hënën pritet të prezantojë paketën e 19-të të masave, mes frikës se mund të bëhet viktimë e një lufte tregtare mes Uashingtonit dhe Pekinit.

Çështja e sanksioneve ndaj Rusisë ka qenë prej kohësh një temë delikate mes Shteteve të Bashkuara të Donald Trump-it dhe Europës. Tani ajo rrezikon të tendosë edhe më tej marrëdhëniet mes Kinës, partnere e Moskës dhe Kontinentit të Vjetër, për shkak të kërkesave të presidentit amerikan, në një kohë kur lufta në Ukrainë dhe tensionet tregtare me Pekinin po ashpërsohen.

Që nga kthimi i tij në Shtëpinë e Bardhë, në janar, Donald Trump ka tentuar të afrohet me Moskën, shpesh pas shpinës së aleatëve të tij. Ai heziton të miratojë masa të reja ndëshkuese ndaj Rusisë, pavarësisht kërkesave këmbëngulëse të kryeqyteteve europiane, të cilat i shohin sanksionet si mjet për të detyruar Kremlinin të ndalë luftën në Ukrainë.

Por përpara se të rrisë presionin ndaj Vladimir Putinit, presidenti amerikan ka vendosur një sërë kushtesh të reja, gjithnjë e më të ashpra, për partnerët e tij europianë. “Jam gati të marr masa të rëndësishme kundër Rusisë, sapo të gjithë vendet e NATO-s të kenë marrë të njëjtën vendim dhe kur të gjithë të kenë ndaluar së bleri naftë ruse,” – shkroi ai të shtunën, më 13 shtator, në rrjetin e tij Truth Social.

Ai i ka nxitur gjithashtu aleatët të vendosin “tarifa doganore të larta” mbi produktet kineze, një kërkesë që Brukseli e konsideron si hap të rrezikshëm, pasi mund ta zhysë Bashkimin Europian në një konflikt të drejtpërdrejtë tregtar me Pekinin.

LEAVE A RESPONSE

Your email address will not be published. Required fields are marked *