
Temperaturat zbresin deri në -12 gradë, era e veriut shton ndjesinë e acarit në të gjithë vendin
Sot shënohet dita më e ftohtë e muajit janar në Shqipëri, me temperatura ekstremisht të ulëta të regjistruara në të gjithë territorin e vendit. Meteorologia Tanja Porja ka bërë të ditur se moti do të jetë kryesisht i kthjellët dhe me diell, por i shoqëruar me të ftohtë të fortë, duke e bërë këtë ditë më të acartën e janarit dhe ndoshta të gjithë dimrit 2025–2026.
Sipas saj, në zonat malore temperaturat minimale kanë zbritur deri në -12 gradë Celsius, ndërsa vlera negative janë shënuar edhe në zonat qendrore dhe në pjesën më të madhe të bregdetit. Edhe gjatë orëve të mesditës, temperaturat do të mbeten nën zero në zonat malore, duke u luhatur nga -4 deri në -1 gradë, ndërsa në ultësirën perëndimore maksimumet do të variojnë nga 4 deri në 6 gradë Celsius, me jugperëndimin që mund të arrijë deri në 8 gradë.
Meteorologia thekson se era do të fryjë mesatare dhe herë pas here e fortë nga drejtimi i veriut dhe verilindjes, çka do ta bëjë ndjesinë e të ftohtit edhe më të theksuar. Ndërkohë, vranësira të lehta dhe kalimtare pritet të shfaqen në zonat veriore dhe lindore, ndërsa pjesa tjetër e vendit do të mbetet kryesisht e kthjellët.
