Situatë alarmante në rrugën jetike për zonën, thirrje urgjente për ndërhyrje nga ARRSH dhe Emergjencat Civile
Një situatë e rëndë është regjistruar në aksin Arras–Lurë, ku rruga është bllokuar totalisht nga bora, duke rrezikuar seriozisht jetën dhe shëndetin e qytetarëve. Mësohet se rreth 20 persona kanë mbetur të izoluar gjatë natës në këtë segment rrugor, ndërsa qarkullimi ka qenë i pamundur për shkak të trashësisë së borës dhe ngricave.
Sipas raportimeve nga zona, gjendja ka qenë kritike dhe nxjerrja e qytetarëve nga rruga është bërë me shumë vështirësi. Aksi Arras–Lurë është një rrugë jetike për komunitetin lokal, por aktualisht mbetet i pakalueshëm, duke krijuar rrezik të drejtpërdrejtë për banorët, sidomos në kushtet e temperaturave shumë të ulëta.
Qytetarët dhe aktivistët kanë reaguar ashpër ndaj mungesës së ndërhyrjes nga institucionet përgjegjëse, përfshirë Autoriteti Rrugor Shqiptar, bashkinë përkatëse dhe Emergjencat Civile. Sipas tyre, mjetet e borëpastrimit dhe strukturat shtetërore nuk kanë reaguar në kohë, pavarësisht paralajmërimeve për mot të keq dhe ngrica në zonat malore.
Aksi Arras–Lurë konsiderohet thelbësor për lidhjen e banorëve me shërbimet bazë, ndaj kërkohet ndërhyrje e menjëhershme për hapjen e rrugës dhe garantimin e qarkullimit. Autoritetet lokale dhe ARRSH pritet të marrin masa urgjente për të shmangur përkeqësimin e situatës dhe për të parandaluar rrezikimin e jetës së qytetarëve në këtë zonë malore.

Situatë alarmante në rrugën jetike për zonën, thirrje urgjente për ndërhyrje nga ARRSH dhe Emergjencat Civile