
Të miturit u gjetën vetëm në banesë në kushte të rënda, autoritetet nisin procedurat ligjore
Një ngjarje e rëndë sociale është zbuluar në Durrës, ku një nënë 33 vjeçare rrezikon t’i hiqet kujdestaria pasi tre fëmijët e saj të mitur u gjetën të braktisur në banesë, pa ushqim dhe në kushte të rënda higjieno sanitare.
Sipas burimeve nga Shërbimi Social, fëmijët kishin rreth tre ditë pa konsumuar ushqim dhe prej afro një muaji nuk kishin ndjekur shkollën. Ata rezultuan të infektuar me zgjebe, ndërkohë që shkolla kishte pasur dijeni për situatën shëndetësore.
Ngjarja është denoncuar nga ish vjehrra e nënës, e cila ka njoftuar policinë se fëmijët ishin lënë vetëm në apartament. Pas ndërhyrjes së uniformave blu, nëna është shoqëruar në komisariat dhe ndaj saj ka nisur procedim penal për keqtrajtim të të miturve. Burime pranë hetimit bëjnë me dije se braktisja ka ardhur pas një konflikti familjar, pasi gjyshja nga ana e babait kishte kërkuar të merrte fëmijët në kujdestari.
Aktualisht, tre të miturit ndodhen në spital së bashku me nënën, ku po marrin ndihmë mjekësore dhe janë nën vëzhgim. Strukturat e Shërbimit Social i kanë marrë fëmijët në mbrojtje, ndërsa autoritetet pritet të vendosin për masat përfundimtare, përfshirë edhe heqjen e kujdestarisë nga nëna.
