
Hetimet zbulojnë se shumica e viktimave u bllokuan në një shkallë të ngushtuar artificialisht në një bar në resortin Crans-Montana
Detaje të reja tronditëse kanë dalë në dritë lidhur me zjarrin e ndodhur natën e Vitit të Ri në një bar në resortin skitar të Crans-Montana, ku humbën jetën 40 persona. Sipas hetimeve, 34 prej viktimave ndërruan jetë teksa përpiqeshin të largoheshin nga godina përmes një shkalle të rinovuar, e cila u shemb dhe i la të bllokuar.
Ngjarja ka ndodhur në ambientet nëntokësore të lokalit Le Constellation. Hetuesit kanë konstatuar se shkalla që lidhte bodrumin me katin e sipërm ishte ngushtuar ndjeshëm nga pronarët, duke u reduktuar nga tre metra në vetëm një metër. Ky ndryshim, sipas burimeve të hetimit, ka luajtur rol vendimtar në tragjedi.
Zjarri dyshohet se u shkaktua nga fishekzjarre dekorative në shishe shampanje, të cilat ndezën materialin izolues në tavan. Kur flakët u përhapën, dhjetëra persona u përpoqën të largoheshin njëkohësisht, por u bllokuan në shkallën e ngushtë, e cila nuk i rezistoi presionit dhe u shemb.
Autoritetet zvicerane gjetën shumë trupa në fund të shkallëve, pasi elementët prej druri ishin shkëputur nga muri. Sipas një burimi hetimor, rreth 85 për qind e viktimave humbën jetën pikërisht në këtë zonë.
Pronari i lokalit, 49 vjeçari Jacques Moretti, ndodhet në paraburgim dhe përballet me akuza për vrasje nga pakujdesia, së bashku me bashkëshorten dhe bashkëpronaren e lokalit, Jessica Moretti. Ai ka pranuar se ka kryer vetë rinovimet në vitin 2015, por nuk është e qartë nëse kishte leje ndërtimi për ndryshimet e bëra.
Hetimet kanë zbuluar gjithashtu se një derë shërbimi në katin përdhes ishte e mbyllur nga brenda në momentin e shpërthimit të zjarrit, çka ka vështirësuar më tej evakuimin. Përveç viktimave, 116 persona të tjerë kanë mbetur të plagosur rëndë.
Autoritetet pritet të vendosin për vazhdimin e masës së sigurisë ndaj pronarit, ndërsa çështja ka hapur një debat të gjerë në Zvicër mbi standardet e sigurisë dhe kontrollet në ambientet e argëtimit.
