
Thashetheme të reja hedhin dyshime mbi atësinë e djalit më të vogël të Mbretit të Popit, duke përmendur ikonën e Hollivudit
Pretendime të reja kanë rikthyer në qendër të vëmendjes një nga misteret më të mëdha të botës së showbiz-it: atësinë e fëmijëve të Michael Jackson. Këtë herë, thashethemet fokusohen te djali i tij më i vogël, Blanket, i njohur sot me emrin Bigi, për të cilin po përflitet se mund të jetë bir biologjik i legjendës së Hollivudit Marlon Brando.
Prej dekadash, rreth origjinës biologjike të tre fëmijëve të Michael Jackson – Prince, Paris dhe Blanket – kanë qarkulluar teori të shumta. Sipas këtyre spekulimeve, këngëtari nuk do të ishte babai biologjik i tyre, megjithëse familja Jackson i ka mohuar vazhdimisht këto zëra.
Sipas burimeve të cituara nga media britanike, pas ndarjes së Michael Jackson nga Lisa Marie Presley, ishte ish-infermierja Debbie Rowe ajo që pranoi të sillte në jetë dy nga fëmijët e tij. Ndërsa për Blanket, i lindur në vitin 2002 përmes një nëne surrogate të panjohur, misteri ka mbetur edhe më i madh.
Pretendimet e fundit sugjerojnë se Michael Jackson mund të ketë përdorur donator sperme dhe se mes emrave të përfolur është edhe Marlon Brando, me të cilin këngëtari kishte një miqësi shumë të ngushtë. Sipas një burimi anonim, kjo e vërtetë e supozuar është mbajtur e fshehtë për vite me radhë, duke u ditur vetëm nga një rreth i ngushtë njerëzish pranë familjes.
Megjithatë, deri më tani nuk ka asnjë provë zyrtare apo konfirmim nga familjet përkatëse që të mbështesë këto pretendime. Ato mbeten në nivelin e spekulimeve dhe thashethemeve, duke ushqyer edhe më tej mitin dhe misterin që vazhdon të rrethojë jetën personale të Michael Jackson edhe vite pas vdekjes së tij.
Në mungesë të fakteve konkrete, historia mbetet një tjetër kapitull i diskutueshëm në universin e legjendave të showbizit botëror.
