Partia Demokratike vijoi me foltoren e saj të përjavshme përballë Kryeministrisë.
Lideri i PD, Sali Berisha, u shpreh se ky vit është viti i përmbysjes së diktaturave.
“Të dashur miq, viti 2026 do shkruhet me germa të arta në muret e kohës si viti i anti-diktaturave. Si viti kur popujt e autokracive arritën t’i përmbytin njëra pas tjetrës ato. Prej dy javësh, rrugët e Teheranit dhe qyteteve të tjera të Iranit janë të mbushur me opozitarë të guximshëm, trima, të cilët pavarësisht nga masakrat, breshëritë e ajatollahëve obskuranistë, ecin të sigurtë drejt fitores. Asgjë nuk mund të ndalë një popull të vendosur për të mbrojtur idealet e tij të lirisë. Asgjë nuk mund të ndalë vrullin e tyre, guximin e tyre, hovin e tyre, pa triumfuar. Dhe ne këtu vijmë sepse kemi këtë besim. Sepse besojmë në idealet tona të drejta. Dhe se besojmë se këto ideale do triumfojnë së shpejti”, tha Berisha.
Ai akuzoi kryeministrin Edi Rama se po ecën drejt grushtit të shtetit dhe bllokimit të sistemit të drejtësisë.
“Miqtë e mi, Edi Rama ndërkohë që shqiptarët janë të vendosur t’i japin ndëshkimin e merituar, po ecën drejt grushtit të shtetit. Po ecën drejt bllokimit të sistemit të drejtësisë.
Ai, në një akt të papërgjegjshëm, sfidon dhe poshtëron shqiptarët çdo ditë, duke u nxjerrë maskën e tij, Lubi Ballukun, për t’u thënë atyre që ne as që pyesim për ju. Po ja ku do i themi ne në emër tuaj, edhe ne në mënyrë absolute nuk do pyesim për ju, dhe do kesh fatin që meriton”, tha Berisha.
Berisha ftoi qytetarët që më 24 janar, të tregojnë fuqinë e bashkimit të shqiptarëve.
“Të dashur miq, këto ditë që na ndajnë është jetike që secili prej nesh të ulet rrafsh, të bisedojë me çdo qytetar, pavarësisht nga bindjet e tij politike. Të bashkohemi, të bisedojmë me çdo intelektual, pavarësisht nga qëndrimet e tij, të dalë nga konformizmi, të harrojë se konformizmi është sëmundja më e tmerrshme e një intelektuali”, përfundoi Berisha.
