Kryeministri Edi Rama është përfshirë sërish në replika në distancë me gazetarin Blendi Fevziu, pas akuzave të këtij të fundit për udhëtimet e ministrave.
Rama shkruan se situata nga moti i keq dhe “kalendari i ngjeshur i influencerit” e pengoi gazetarin Fevziu që të merrej seriozisht me faktin që gënjeu shikuesit e tij, kur u tha se kishte 7 fakte për ministrat që linin “kaseta” me inspektime dhe ndërkohë ishin në udhëtime private.
Reagimi i Ramës:
Mesa kuptoj dëbora e kudondodhur dhe kalendari i ngjeshur i influencerit, e penguan Blendi Fevziun të merrej seriozisht me faktin që i gënjeu hapur shikuesit e tij besnikë, kur nga ekrani i Opinionit u tha, “kam fakte që të paktën 7 ministra janë në udhëtime private jashtë shtetit të shtunave e të dielave, dhe lënë kasetat me inspektime nëpër tv sikur janë në punë… Ju’a garantoj!”
Që kjo ishte një gënjeshtër e llojit shpifje, këtë nuk e mohoi dot as vetë Fevziu, duke reaguar ndaj postimit tim pa sjellë asnjë fakt mbi këtë sajesë të hedhur nga dritarja e Opinionit në shtëpitë e shqiptarëve, bash kur një sërë ministrash ishin ditë e natë rrugëve gjatë vorbullës atmosferike të javëve të fundit.
