Presidenti amerikan Donald Trump u dërgoi një mesazh protestuesve iranianë në Teheran, duke deklaruar mbështetjen ndaj tyre.
Me një postim në Truth Social sot ai u kërkoi qytetarëve iranianë të vazhdonin protestat, premtoi se “vrasësit do të paguajnë shtrenjtë” dhe theksoi se “ndihma po vjen”. Në të njëjtën kohë, ai parafrazoi të njohurën “Make America Great Again – MAGA”, duke shkruar “Make Iran Great Again – MIGA”.
“Patriotë iranianë, VAZHDONI DEMONSTRATAT – PUSHONI INSTITUCIONET TUAJA!!! Shkruani emrat e vrasësve dhe torturuesve. Ata do të paguajnë një çmim të lartë. Kam anuluar të gjitha takimet me zyrtarët iranianë derisa vrasjet e pakuptimta të protestuesve TË NDALOJNË. NDIHMA PO VJEN. MIGA (Make Iran Great Again)!!!”.
Presidenti amerikan (i cili më parë njoftoi tarifa prej 25% për çdo vend që tregton me Teheranin) është informuar ditët e fundit mbi opsionet e reja për sulme ushtarake kundër Iranit, ndërsa ai po shqyrton zbatimin e kërcënimit të tij për të sulmuar vendin për shkak të shtypjes së protestave, sipas shumë zyrtarëve amerikanë me njohuri për çështjen.
Sulmet me raketa me rreze të gjatë veprimi mbeten një opsion për një ndërhyrje të mundshme të SHBA-së, por zyrtarët e Pentagonit kanë përshkruar gjithashtu operacione kibernetike dhe fushata psikologjike, sipas burimeve.
Ekipi i sigurisë kombëtare i Trump pritet të takohet në Shtëpinë e Bardhë më vonë sot për të diskutuar opsionet mbi Iranin, sipas burimeve, por nuk është e qartë nëse vetë presidenti do të marrë pjesë. Benjamin Netanyahu thuhet se po mban një takim të ngjashëm me Këshillin e Sigurisë Kombëtare të Izraelit.
Presidenti amerikan kishte thënë ditët e fundit se ushtria e tij po shqyrtonte “opsione shumë të forta” për të ndërhyrë nëse vriten më shumë protestues. Trump tha se udhëheqësit iranianë e kishin ftuar atë “për negociata”, por shtoi se SHBA-të “mund të duhet të veprojnë para takimit”.
