
Në rrjetet sociale po qarkullon një deklaratë që pretendohet të jetë e një ushtari të forcave të sigurisë së Nicolás Maduro, ku përshkruhet me kronologji ajo që ai e quan një operacion jo të zakonshëm ushtarak dhe të paparë më parë.
Sipas rrëfimit, gjithçka nisi para se forcat në terren të kishin mundësi të kuptonin se çfarë po ndodhte. Pa asnjë paralajmërim, radari ra, komunikimi u ndërpre dhe të gjitha sistemet e mbrojtjes pushuan së funksionuari njëkohësisht. Ushtari thotë se nuk pati sinjale alarmi dhe asnjë kontakt paraprak me armikun.
Pak çaste më vonë, nga qielli u dëgjuan zhurma që u identifikuan si dronë, por sipas tij ishin modele që forcat e sigurisë nuk i kishin parë kurrë më parë. Menjëherë pas kësaj, në zonë zbritën tetë helikopterë, nga të cilët dolën rreth njëzet ushtarë të pajisur me teknologji që ai e përshkruan si të paimagjinueshme.
Sipas deklaratës, armët e forcave vendase rezultuan të padobishme dhe çdo formë mbrojtjeje dështoi. Operacioni zhvillohej me një shpejtësi të jashtëzakonshme, ndërsa forcat e sigurisë filluan të goditeshin pa e kuptuar nga po vinte sulmi. Ushtari pohon se disa prej tyre po binin në tokë, të tjerë po vjellnin gjak ose po pësonin gjakderdhje nga hunda, pa u qëlluar nga asnjë plumb.
Ai pretendon se bëhej fjalë për një formë teknologjie të ngjashme me ultratingujt, që shkaktonte ndjesinë e zjarrit brenda trupit dhe zhurmë të fortë në mendje, duke pamundësuar çdo reagim normal. Sipas tij, nuk ishte zjarr i zakonshëm armësh dhe efektet ishin kryesisht fizike dhe neurologjike.
Në rrëfim thuhet se qindra nga njerëzit e tyre u vranë, ndërsa pala sulmuese nuk pati asnjë humbje. Operacioni përfundoi po aq shpejt sa nisi, me forcat sulmuese që u zhdukën nga zona pa lënë gjurmë.
Në fund të deklaratës, ushtari paralajmëron se kushdo që mendon të përballet ushtarakisht me Shtetet e Bashkuara duke u bazuar vetëm te numri i ushtarëve, sipas tij, gabon rëndë, duke lënë të kuptohet për një epërsi teknologjike vendimtare.
Deri më tani, kjo dëshmi mbetet një pretendim që po qarkullon në rrjet dhe nuk është konfirmuar nga burime zyrtare, por ka nxitur reagime të forta dhe debate mbi natyrën reale të operacionit dhe teknologjitë e përdorura.
