
Sot dhe nesër zhvillohen aktivitete përkujtimore në nderim të viktimave, me pjesëmarrjen e institucioneve dhe shoqatave të dala nga lufta
Me një sërë aktivitetesh përkujtimore, sot dhe nesër shënohet 27-vjetori i Masakrës së Reçakut, një nga ngjarjet më tronditëse të historisë së fundit të Kosova, e cila mbetet simbol i dhimbjes, sakrificës dhe luftës për të vërtetën.
Në kuadër të Ditëve të Reçakut, institucionet vendore dhe qendrore, në bashkëpunim me shoqatat e dala nga lufta, po organizojnë aktivitete të shumta përkujtimore me qëllim nderimin e viktimave, ruajtjen e kujtesës historike dhe përcjelljen e saj te brezat e rinj.
Gjatë ditës së sotme, në të gjitha shkollat e Komunës së Shtime është mbajtur ora e parë mësimore kushtuar 15 Janarit, ditës së Masakrës së Reçakut. Po ashtu, në orën 10:00, në Bibliotekën e Qytetit është organizuar një tryezë shkencore nga Forumi i Intelektualëve të Shtimes, me temën Mohimet serbe të krimeve dhe gjenocidit destabilizim për Ballkanin.
Të enjten, aktivitetet përkujtimore do të shtrihen në të gjithë vendin, ku në të gjitha shkollat e Republikës së Kosovës do të mbahet ora e parë mësimore kushtuar Masakrës së Reçakut. Në orën 09:00 janë planifikuar homazhe nga niveli komunal në Varrezat e Dëshmorëve në Shtime, Mollopolc dhe Reçak. Në orën 10:30 do të zhvillohen homazhe shtetërore në Kompleksin Memorial në Reçak, ndërsa në orën 12:00 do të mbahet Akademi përkujtimore në Shtëpinë e Kulturës në Shtime.
Në vijim, në orën 13:00 do të hapet ekspozita tradicionale Çmimi William Walker 2026, edicioni i dytë, me ideatore Emine Jetishi, ndërsa në orën 15:00 do të zhvillohet finalja e Turneut Memorial Ditët e Reçakut në futboll të vogël, në fushën sportive Arbëri në Reçak.
Këto aktivitete zhvillohen nën patronatin e presidentes së Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, kryetarit të Kuvendit, Dimal Basha, kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, si dhe kryetarit të Komunës së Shtimes, Qemajl Aliu.
Masakra e Reçakut mbetet një dëshmi e rëndë e krimeve të kryera gjatë luftës në Kosovë dhe një kujtesë e përhershme për domosdoshmërinë e drejtësisë, së vërtetës dhe paqes së qëndrueshme në rajon.
